Diplomati austriak Wolfgang Petritsch ka deklaruar se plani franko-gjerman është një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, por sipas tij ende nuk nënkupton arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

“Është një propozim, që do të thotë se ka një ide konkrete se si të dalim nga një situatë që ka zgjatur shumë dhe në të cilën nuk ka përparim, sepse dialogu i një viti e gjysmë apo dy vjet shërben vetëm për shuarjen e zjarreve, por nuk arrin të çojë në normalizimin e marrëdhënieve. Propozimi franko-gjerman nuk përcakton zgjidhjen përfundimtare, por është një hap i rëndësishëm i ndërmjetëm në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Nuk ka njohje zyrtare diplomatike, por sipas modelit të bashkëpunimit gjermano-gjerman, duhet të ndërmerren hapa të rëndësishëm në mënyrë pragmatike në normalizimin e ndërsjellë të marrëdhënieve”, tha ai për Kosovo Online.

Ish- emisari special i BE-së për Kosovën thotë se nëse propozimi pranohet, do të ketë faza të vështira në rrugën drejt përmbushjes së tij si për Prishtinën ashtu edhe për Beogradin.

“Shembulli më i rëndësishëm është se, nga njëra anë, Beogradi dëshiron që Prishtina më në fund të fillojë zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin. Ai komunitet, ose sido që ta quajmë, duhet të krijohet hap pas hapi. Nga ana tjetër, Prishtina dëshiron të shkojë në drejtim të njohjes dhe kjo nuk do të jetë e mundur menjëherë. Është e rëndësishme që Beogradi të kuptojë se është e rëndësishme të përmirësohen kushtet e jetesës për serbët në Kosovë. Kjo është ajo që do të sillte një marrëveshje e tillë dhe kjo është vendimtare”, tha ai.

/TV Malisheva

Share.