Nga: Petro Marko (pjesë nga libri Intervistë me vetveten (Retë dhe gurët), fq. 542-552.
DY PROPOZIME NË DiSTANCË KOHE
Propozimi i parë: Para burgimit tim, siç kam treguar më parë, shoqërova dy gazetarët Li Uajt dhe Çakall në jug të Shqipërisë. Në Vlorë, në një restorant, kur po hanim mëngjesin pranë detit, unë u largova për pak dhe e lashë Safon vetëm me Li Uajtin, njeri shumë i sjellshëm dhe i kulturuar. Kur po ktheheshim në Tiranë, diku pranë Fierit zuri një shi i madh dhe unë me Çakallin e Javer Malon zbritëm nga vetura dhe nxituam për t’u futur nën strehën e një magazine. Pas pak minutash zbriti dhe Li Uajti dhe vrapoi drejt nesh i pasuar nga Safoja, që kishte mbuluar kokën me pardësy. Kur mbërritëm në Tiranë dhe u ndamë me ta, unë dhe Safoja shkuam në zyrat e “Bashkimit”. E ndjeva se diçka deshi të më thoshte. Dhe vërtet, ajo më tregoi se, kur kishte mbetur vetëm në Vlorë me Li Uajtin, i cili po pinte kafen, ai i kishte thënë Safos: “Do të të bëj një propozim. Nuk guxoj t’ia them Petros këto që po të them ty. Ne për dy ditë nisemi me avion dhe mendoj se ti dhe Petroja shumë shpejt nuk do ta ndieni më veten mirë këtu. Ai është një gazetar shumë i mirë, kurse ti ëndërron që të bëhesh piktore. Ju ofroj këtë zgjidhje: Në aeroport, kur të bëhet përcjellja jonë, ju mund të hipni në avion. Ju shoqëroj unë. Avioni është zonë amerikane dhe askush nuk do të guxojë të hipë atje e t’ju zbresë. Kështu që ju siguroj ty studimet dhe Petros një vend të sigurt si gazetar.” Unë e dëgjova Safon, e cila dukej se në njëfarë mënyre ishte joshur nga një zgjidhje e tillë, dhe i thashë: “Unë kam hequr të zitë e ullirit për këtë vend dhe rruga ime nëpër Evropë nuk ka qenë fushë me lule. Një propozim të tillë ma bënë edhe në Romë, për në gazetën “Unita”. Por, unë kam ardhur këtu në vendin tim dhe këtu do të vdes.” Por edhe Safoja kishte familjen e saj, nënën dhe vëllanë, të cilët nuk mund t’i braktiste, se do të kishin pasoja të rënda. Kaq.
Propozimi i dytë: Pak vjet përpara ‘90-s, në nëntor, për çështjen e pasurive të patundshme të Safos që ndodhen në Greqi, ajo u lejua të bënte rrugën për në Athinë e Selanik e shoqëruar nga unë. Unë rashë në kontakt me nipin tim, Thomanë, birin e Jerasimo Dunit dhe të kushërirës sime të parë, Kateros. Ai u gëzua pa masë dhe u tregua i gatshëm të na priste në shtëpinë e tij. Sigurisht, për të gjitha këto unë mora leje, duke thënë se atje kisha shumë farefis e të njohur bashkëfshatarë (që kishin qenë arratisur). Takimi ishte i dhembshëm, tërë lot e përqafime. Thomai ishte arratisur nga fshati me të atin, kur ishte vetëm 15-vjeçar, kurse tani ishte bërë një burrë i pjekur me familje, me pasuri, të cilën e kishte vënë me punë e mund, duke e nisur si mekanik e duke fjetur nën ura. Një takim i pabesueshëm. Në ditët që pasuan, më erdhën të gjithë dhërmiotët e arratisur dhe, me një mallëngjim të parrëfyer, putheshin me mua e qanin si fëmijë. Malli për familjet, për atdheun, për Dhërmiun u kishte gërryer shpirtin. Qanim edhe ne. Kishin jetuar, kishin punuar e ishin plakur jashtë. Larg. Megjithatë, ata ishin të informuar për të gjitha, për burgun tim dhe të djalit. Për sa kohë qëndruam atje, nuk pati asnjë nuancë për ndonjë propozim si ai i natës së fundit. Nipi im, Thomai, vetëm tri ditë qëndroi me ne. Ai më deshi, më nderoi e më priti me dashuri të madhe, pastaj iku në Evropë përsëri. Natën e fundit, në vizitën e ndarjes në një familje himarjote, Safoja vajti atje përpara meje. Pak më vonë arrita edhe unë. Shkova të ndahesha me shokun e fëmijërisë, komshiun tim Koço, të vëllanë e Llambro Dedes, me të cilin shkonim këmbëzbathur në shkollë dhe ndanim kafshatën e bukës. Sigurisht, unë nuk kisha, se isha jetim, por nëna e tij nuk më ndante nga djemtë e saj. Vasili më tha: – Petro, vëlla! Kam një propozim për ty, të cilin ia thashë edhe Safos përpara se të vije ti. Kam menduar që ti të qëndrosh këtu bashkë me gruan. Të mos kthehesh më në Tiranë. Do të kesh një shtëpi të pajisur me të gjitha ato që duhen, dhe ti do të bësh një libër ku të shkruash të gjitha paudhësitë e pushtetit të Enver Hoxhës, i cili e groposi Shqipërinë. Ty të futi në burg, që je edhe luftëtar i Spanjës. Djalin ta burgosi. Erdhe këtu i varfër si mos më keq. I pe këtu të tërë të arratisurit se si janë sistemuar dhe si rrojnë. Librin që do të shkruash, ne do ta botojmë në disa gjuhë të huaja dhe të gjitha të ardhurat do t’i marrësh ti. Prandaj, të propozoj: mendohu mirë sonte dhe nesër mos u nis për në Tiranë.
Qysh në fillim duhej vlerësuar nënshtrimi i Partisë Komuniste si vasale e serbëve. Cili e kundërshtoi këtë, përveç ballistëve, që trumbetuan: “Këta komunistë u bënë skllevër të jugosllavëve”! Prandaj dhe shumica e tyre, që u bënë kundër nesh, kishin të drejtë të na quanin vasalë të serbëve, se e lamë Kosovën nën shtypjen e tyre dhe gjithë Shqipërinë nën kontrollin e tyre. Unë mendoj – meqë i kam jetuar ato kohë – se shumica e popullit kishte besim te djemtë e tij partizanë patriotë, idealistë e komunistë, se e dinin që këta djem luftonin për lirinë dhe pavarësinë e tij. Edhe komunistët kishin besim tek ajo politikë, se edhe ne bënim pjesë në familjen e madhe të kampit socialist, dhe kurrë nuk u shkonte ndër mend se kishte në botë parti komuniste që gënjente ose nuk ishte reale dhe e sinqertë…
Me rastin e 50-vjetorit të pavarësisë më 1962, Branko Merxhani shkroi në Turqi, në gazetën “TAN”, për Shqipërinë dhe përparimet që kishte bërë, sidomos në përhapjen e kulturës: “Po udhëheqja, nëse nuk ndryshon rrugë, ecën drejt greminës, drejt vdekjes. Asnjë shtet në botë nuk mund të vetizolohet dhe të rrojë në autarki: as vetë Amerika e fuqishme, as vetë Bashkimi Sovjetik … dhe jo Shqipëria e vogël dhe e prapambetur, më e varfra në Evropë … Nëse qeveria shqiptare nuk i hap kufijtë, nuk bashkohet me botën, por do të vazhdojë vetizolimin, ajo shkon drejt vdekjes … Nuk ka mundësi, siç thotë udhëheqja, “që edhe bar do të hamë, po nuk do të ndryshojmë rrugën tonë!”.”
Bota do të na ketë zili, – thoshte Enver Hoxha. – Edhe vetë Amerika na ka zili dhe lufton që të na arrijë në jetën e lumtur që bëjmë ne … Po, kur të na arrijë, ne do të jemi 100 vjet përpara tyre …(!)
/TV Malisheva