Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, është operuar sërish në këmbën në të cilën ishte plagosur gjatë luftës në Kosovë.
Vëllai i tij, Fehmiu, i ka uruar shërim të shpejtë duke thënë që ky ishte operimi i 30-të i Gucatit në këtë plagë.
“Pjesa e trupit tënd ku ti sot u operove për të 30-tën herë është plagë e lirisë që ne sot e gëzojmë”, ka shkruar Gucati për vëllanë e tij.
“Shërim të shpejtë, vëlla!”, ka shkruar ai.
Në tetor të këtij viti, Dhomat e Specializuara në Hagë njoftuan se kanë modifikuar dënimin ndaj ish-kreut të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, duke i mundësuar atij lirimin nga burgu, nën disa kushte.
Sipas njoftimit, kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, konstatoi se Gucati kishte reflektuar për veprimet e tij gjatë qëndrimit në objektin e paraburgimit në Hagë dhe “sjellja e tij kishte ndryshuar me kalimin e kohës”.
/TV Malisheva