Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu ka kërkuar nga krye parlamentarja që të marrë iniciativa të qarta kundrejt Listës Serbe, meqë sipas saj të njëjta duhet të jenë vetëm ndryshimet kushtetuese, e jo rezolutat.
Kuvendi i Kosovës po vazhdon punimet e seancës plenare, në të cilën ka pasur edhe polemika të vogla mes kryetares, Vjosa Osmani, dhe deputetes së AAK-së, Teuta Haxhiu.
Haxhiu: Kam kërkuar diçka prej teje, jo vetëm me bo për politikë
“Mendimi për Listën Serbe, edhe dje edhe sot ka qenë ata janë me trup në Kosovë e me kokë në Beograd. Atyre duhet t’ia tregojmë vendin vetëm përmes ndryshimeve Kushtetuese. E kam kërkuar prej teje dhe ju kam thënë që jam pas teje, për me rregullu diçka jo me bo vetëm për pak politikë. Nuk është e sinqertë, dhe besoj që ki me marrë një rol të unifikimit të faktorit shqiptar, që mos t’ia japim mundësinë Listës Serbe që të bëjnë dasmë. Kisha kërkuar që ta marrësh këtë rol”, iu drejtua Haxhiu.
E Osmani u kundërpërgjigj duke thënë se fjalët “mos shit moral” të mëhershme nga Haxhiu kanë qenë fyese për të.
Osmani: Për mua morali nuk është në shitblerje
“Për mua fjalë fyese ka qenë fjala “mos shit moral”, sepse për mua morali nuk është në shitblerje, ose e ke ose nuk e ke. Urdhëroni nëse doni me u përgjigj”, u shpreh Osmani.
E sërish reagoi deputetja e AAK-së, që tha se rezolutat janë humbje kohe dhe se nuk janë obligative për qeverinë e Kosovës./Tv Malisheva