Në një komunikatë për media Policia e Kosovës njofton se ka implementuar planin policior për zgjedhjet e parakohëshme parlamentare 2019 ,
Ja njoftimi i plotë :
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Rashit QALAJ, mbajti takim zyrtar me menaxhmentin policor të nivelit qendror dhe atij lokal
Prishtinë, 23 shtator 2019
Sot, me 23 shtator 2019, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, nën udhëheqjen e drejtorit të Përgjithshëm z. Rashit Qalaj, i cili ishte i shoqëruar nga stafi menaxherial, u mbajt një takim lidhur me angazhimin e Policisë së Kosovës në implementimin e planit policor për “Zgjedhjet e parakohshme parlamentare -2019”.
Në këtë takim morën pjesë zëvendësdrejtorët e PK-së, drejtorët e departamenteve, divizioneve, drejtorive rajonale, komandantët e stacioneve policore dhe përfaqësues të ICITAP-it amerikan, të cilët u njoftuan lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet policore në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si një proces mjaft i rëndësishëm për vendin.
Drejtori Qalaj gjatë këtij takimi potencoi se krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, është primare për Policinë e Kosovës.
Njëkohësisht nga të gjithë eprorët e lartë policorë u kërkua që të gjitha detyrat dhe angazhimet e parapara me planin policor për zgjedhjet, të realizohen me profesionalizëm dhe me përkushtim të lartë, po ashtu të njoftohen të gjithë zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor, me qëllim të përmbushjes së misionit dhe vizionit të PK-së.
Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor në katër faza, siç është filluar nga periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, pastaj angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës parazgjedhore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve si dita (Z), si dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.
Policia e Kosovës do të angazhojë një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës, si dhe ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces.
Njëkohësisht nga të pranishmit u diskutua edhe rreth inicimit dhe procedimit të çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.
Policia e Kosovës, në krye me menaxhmentin e saj, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme karshi qytetarëve dhe vendit.
Me respekt
Zyra për Informim e PK-së
DPP-Prishtinë