Policia e Kosovës është sulmuar sërish në fshatin Zupç të Zubin Potokut. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, derisa ka treguar se sulmi ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit.

Në një përgjigje, Kelani ka thënë se nuk ka policë të lënduar.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit, konfirmojmë se është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar janë sulmuar me armë zjarri, përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar”, ka thënë Kelani.

Ai ka thënë se Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin, përderisa ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve./TV Malisheva

 

Share.