Një person ka humbur jetën ndërsa tre të tjerë janë plagosur, si pasojë e një incidenti me armë zjarri në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar për “Gazeta Blic” Flora Ahmeti nga Zyra për Informim në Policinë e Kosovës.
Lidhur me rastin, sipas Ahmetit, polica tashmë ka arrestuar dy të dyshuar, si të përfshirë në këtë rast.
“Nga informacionet e para në vendin e ngjarjes dyshohet se nga arma e zjarrit janë plagosur katër persona të cilët janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK, nga ku jemi njoftuar se njëri prej personave të plagosur nuk u ka mbijetuar plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë. Lidhur me këtë ngjarje policia ka arrestuar dy persona të dyshuar. Aktualisht njësitet policore janë duke punuar ne sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me rastin”, ka thënë ajo.
Rasti ka ndodhur rreth orës 16:00. Rruga në të cilën ka ndodhur ky incident akoma vazhdon të jetë e bllokuar nga Policia e Kosovës.