Qeveria e Kosovës sot ka afatin e fundit për plotësimin e kërkesave të Policisë së Kosovës për përfshirjen e tyre në vendimin e pagave shtesë nga 300 euro për korrik dhe gusht.

Nëse ekzekutivi nuk përmbush këto kërkesa dhe ato për kompensimin e orëve shtesë, policia e Kosovës paralajmëron protestë dhe neglizhencë të punës.

Kështu kanë thënë sot drejtues të Sindikatës së Policisë në mbledhjen e komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në të cilën u njoftuan deputetët lidhur me kërkesat e tyre.

Kryetarja e Sindikatës së Policisë, Valbona Kamberi tha se pakënaqësitë e policisë janë të mëdha, sidomos për punën në pandemi e cila nuk po stimulohet nga Qeveria.

Ajo tha se asnjë kërkesë deri tash nuk është plotësuar nga Qeveria e Kosovës, derisa policia që nga 12 marsi i këtij viti e deri më sot punon 12 orë, ku janë mbi 600 pjesëtar të policisë të infektuar nga Covid-19 dhe 10 policë të cilët kanë humbur betejën me këtë virus.

Kamberi po ashtu ka thënë se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, do të mbajnë protesta, greva si dhe do ta pasivizojnë punën në terren.

Kamberi: Do të jetë një pasivitet që do t’i kushton vendit dhe buxhetit të Kosovës

“Protestat do të jenë(ndodhin) se në çfarë forme do të jenë ato do të vendosen nga këshilli drejtues i sindikatës. Ne do t’i përdorim të gjitha mjetet sindikale, sepse protesta nuk është e mirë në kohë të pandemisë dhe as për qeverinë e Kosovës. Dhe derisa policia del në protestë, çka më tutje? Kjo do të thotë që të gjithë qytetarëve t’u lejohet të bëjnë çfarë të donë gjersa policia atë ditë apo në atë orë do të angazhohet në protestë. Andaj, ta keni me dije se do të jetë një pasivitet që do t’i kushton buxhetit të Kosovës, sepse ne kemi mundësi të dalim të detyre e që nuk do të merremi me dënime dhe nuk do të merremi më se kush do të mbanë maskë dhe kush jo, sepse na keni pru deri në atë nivel “, tha Kamberi.

Ndërsa, deputeti nga VV-ja Rexhep Selimi tha se është i shqetësuar me gjendjen e rëndë në policinë e Kosovës.

Ai tha se kërkesat e policisë i mbështet 100 për qind.

Selimi: Gjendja në policinë e Kosovës është vërtet e rëndë, mbështesim kërkesat e tyre

“Unë propozoj komisionit që për këtë situatë qysh sot nga kjo mbledhje të formojmë një Grup Punues për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit të Policisë së Kosovës dhe të kësaj situatë të krijuar në Kosovë… përveç fakteve tjera që na i nxorët ju si sindikalist, që janë 200 ditë nga 12 orë pune pa shujta, me ndërrim të natës të paguar 5 euro, që është një imazh i keq. Pastaj, nuk paguhen edhe orët shtesë si dhe mos kompensimi i pakos fiskale me nga 300 euro. Kjo rezulton se situata është shumë e rëndë. Në anën tjetër mos përgjigjja nga ana e përfaqësueseve të qeverisë njësoj do ta kisha thënë edhe sikur të isha në anën e mazhorancës sot. Do të isha i shqetësuar njësoj sikur ministri dhe kryeministri që e kam zgjedh unë nuk i përgjigjet zërit të policisë”, theksoi Selimi.

Deputeti nga PDK-ja Elmi Reçica duke kërkuar mbështetje për polici, tha se dëshiron që mos të ndodhin protesta ose grevë nga policia, pasi varet shumë siguria e qytetarëve dhe ajo kombëtare nga policia.

Reçica: Mbështes kërkesat, por kërkoj fuqishëm që mos të mbahen protestat

“Këto kërkesa që janë imediate dhe jam dakord se si Komision të nxjerrim një qëndrim të qartë. Jemi në mbështetje tuaj. Do të kisha pasur dëshirë dhe kërkojmë fuqishëm që mos të vij deri te një protestë ose një grevë, ose një abstenim i policisë. Policia e shtetit është organi më i rëndësishëm që ka ky shtet. Varet siguria kombëtare prej saj dhe varet siguria e qytetarëve”, theksoi Reçica.

Deputeti nga LDK-ja Hatim Baxhaku ka mbështetur kërkesat e policisë së Kosovës, por ka thënë se duhet kuptuar edhe gjendjen e rëndë financiare të shkaktuar nga Covid-19.

Baxhaku: Besoj që edhe qeveria ka vullnet, por nuk ka para

“Unë kisha pasur dëshirë që të gjitha kërkesat përnjëherë me u plotësuar, por unë besoj që së bashku do ta gjejmë një zgjidhje ju edhe ne me qeverinë. Unë kam besimin që edhe qeveria ka dëshirë dhe vullnet i plotësuar këto kërkesa tuaja, mirëpo duhet ta kuptojmë edhe qeverinë, jo pse unë jam pjesëtar i një partie që është në qeverisje, megjithatë jemi në një situatë të rëndë ekonomike, jo vetëm ne por të gjithë Evropa dhe Bota. Prandaj, ju kisha lut, që jo të hiqni dorë nga kërkesat, por të jeni më aktiv bashkë me ne”, theksoi Baxhaku.

Deputeti Bekë Berisha ka thënë se secili prej deputetëve ka vullnet për t’i dalë në ndihmë policisë, dhe ka thënë se nuk është e nevojshme mbajtja e protestave nga policia, pasi do të zgjidhen kërkesat e tyre.

Edhe deputetja Ganimete Musliu tha se kërkesat e policisë nuk është hera e parë që dëgjohen në Kuvend. Megjithatë, ajo ka kërkuar që komisioni unanimisht t’i mbështet kërkesat e policisë.

Paga e një polici në vend aktualisht është 390 euro. Katër kërkesat me prioritet të Sindikatës së Policisë janë: pako emergjente, shujtat, ligji për pensionim të parakohshëm dhe sigurimi shëndetësor. /TV Malisheva

Share.