Fillimisht, para disa ditësh, Aleksandar Vuçiq foli për atë se si do të shpërthejë konflikti dhe përndjekja e serbëve në veri të Kosovës dhe tani ai mesa duket e dërgoi njeriun e tij të operacioneve speciale për të përshpejtuar procesin, shprehet kryetari i Lëvizjes Popullore për Liri, Miroslav Paroviq.
Paroviq për mediet serbe duke komentuar video-mesazhin e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq thotë se kjo është logjikë e viteve të 90-ta.
“Kjo logjikë e viteve 90-ta në të cilën ‘heronjtë’ të ndryshëm si Zheljko Razhnatoviq – Arkan bënin deklarata të forta për mbrojtjen e serbëve, të tillët kur na kanë mbrojtur aty më nuk kemi ekzistuar”, thotë Paroviq.
Ai shton se këto mesazhe propaganduese e përforcojnë Vuçiqin dhe organizatën e tij kriminale.
“I bëj thirrje Vuçiqit që të mos i bëjë ato klipe për rrjetet sociale dhe si masë të propagandës, do të dëmtonte interesat serbe. Në këtë mënyrë, duke shfaqur publikisht njerëzit me biografi të dyshimta dhe duke i promovuar ata si heronj kombëtarë do ta përforconte besimin e Vuçiqit, në parim, vetëm po mbron organizatën e tij mafioze dhe po dëshmon se ai është i gatshëm t’iu nënshtrohet atyre”, shton ai.
Kreu i grupit kriminal serb, përmes një video mesazhi është paraqitur me tone kërcënuese ndaj serbëve të Kosovës. Radoiçiq që është i sanksionuar nga Thesari amerikan, pretendon se këtë video e ka incizuar në vendin tonë teksa shihet duke kërcënuar qytetarët për t’iu bindur grupeve kriminale.
I kërkuari nga autoritetet e sigurisë së Kosovës, duke parë se ka humbur mbështetjen nga serbët, është munduar që t’i shantazhojë ata, të cilët tashmë e kanë kuptuar se janë shfrytëzuar si instrument politik nga Beogradi.
Kujtojmë se Radoiçiq, përveç që është në kërkim nga Policia e Kosovës, së bashku me Zvonko Veselinoviqin, janë në listën e zezë të SHBA-së si grup i organizuar në veri të vendit.
Sipas Zyrës së Kontrollit për Pasuritë e Huaja të Departamentit të Thesarit (OFAC), përveç Veselinoviqit në grupin e krimit të organizuar që vepron në veri të Kosovë sa janë edhe i vëllai Zvonkos, Zharko Veselinoviq, pastaj Zhelko Bojiq, Milan Mihajloviq, Sinisha Nedeljkoviq, Radovan Radiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Milan Radoiçiq, Marko Rosiq, Radule Steviq, Milivoje Vuloviq.
/TV Malisheva