Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen nesër në seancë plenare. Në mesin e pikave të papërfunduara nga seancat e kaluara, do të shqyrtohet edhe Projektligji që i hap rrugë rritjes së pagës minimale. Partia në pushet, Lëvizja Vetëvendosje insiston në miratimin e tij, pa përfshirjen e pensioneve të veteranëve të UÇK-së, ndërsa nga opozita kritikojnë pushtetin se dëshiron të shmangë protestat e veteranëve, duke e vendosur projektligjin për miratim në mënyrë përshpejtuar, në seancën e nesërme. Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, pozitë-opozitë, vazhduan dallimet edhe për tërheqjen e kursimeve nga Trusti.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se paga minimale përfshinë vetëm punëtorët e sektorit privat, ndërsa këtë vit do të trajtojnë rishqyrtimin e skemave pensionale, ku përfshihen edhe pensionet e veteranëve të UÇK-së.
Kusari-Lila: Paga minimale dhe pensionet e veteranëve janë dy mekanizma të ndryshëm
“Ne po trajtojmë pagën minimale që lidhet ekskluzivisht me punëtorët në sektorin privat. Përderisa kjo qeveri e ka në agjendë legjislative këtë vit të bëjë rishqyrtimin komplet të skemës pensionale. Po flasim për dy mekanizma të ndryshëm të cilët nuk janë të lidhur që nga viti 2017”, tha ajo.
Mirëpo, këtë qasje e kundërshtoi, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se LVV-ja dëshiron mos t’i jep hapësirë veteranëve për protesta.
Tahiri: LVV dëshiron mos t’i jep hapësirë veteranëve për protestë
“Nuk i kemi bërë thirrje veteranëve dhe askujt që të dalin në protestë. Ne kemi kundërshtuar këtë projektligj tash e njw muaj në Kuvend. Kjo mazhorancë nuk i ka pasur numrat, pasi ka pasur probleme brenda grupit parlamentar. Ne as nw të kaluarën dhe as nesër nuk i bëjmë thirrje. Është një e drejtë e tyre që të kërkojnë përfshirjen në kuadër të pagës minimale… Po mundohen me një shpejtësi që të kalojë, duke mos i dhënë mundësi veteranëve as të protestojnë. Kaloi ditën e nesërme me një urgjencë të shpejtë dhe kjo është e papranueshme”, tha ai.
Kritik u shfaq edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili kërkoi që Projektligji për pagën minimale të largohet nga rendi i ditës.
Tahiri: Të largohet nga rendi i ditës paga minimale
“Po shpresoj dhe po besoj që edhe LVV-ja dhe qeveria do të reflektojë në këtë kërkesë të AAK-së për largimin nga rendit i ditës. Është një gabim i madh, i cili bie ndesh edhe me ligjin bazik të veteranëve dhe çështjeve të tjera”, tha ai.
Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, bëri të ditur se me kërkesë të tyre në seancën e 23 qershorit do të ketë debat parlamentar për rritjen e çmimeve.
Ai tha se përmes një rezolute do të kërkojnë të largohet TVSh-ja për disa produkte esenciale dhe akciza për naftën. Krahas kësaj, Gashi tha se do të iniciojnë edhe shkarkimin e bordit të ZRrE-së.
Gashi: Të largohet TVSh-ja dhe akciza për naftën
“Çështja e parë është kërkesa për debat parlamentar për rritjen e çmimeve dhe masave urgjente që duhen të ndërmerren. Ne kemi propozuar edhe rezolutë, kërkuam që ky debat të mbahet ditën e enjte, mirëpo partia në pushtet insistoi që agjenda është e kërkuar dhe mbeti që debati të shqyrtohet javën e ardhshme. Po ashtu edhe rezoluta e cila do të jetë në diskutim edhe me partitë tjera, për suspendimin e TVSh-së për tre muaj me mundësi vazhdimi për produktet esenciale, akcizën për naftën dhe disa produkte të tjera që janë me ndikim për jetën qytetare, po ashtu për tre muaj”, theksoi Gashi.
Mospajtime pushteti dhe opozita kanë edhe për tërheqjen e kursimeve nga Trusti, i cili është në rend të ditës në seancën e së enjtes.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, përsëriti qëndrimin kundër kësaj iniciative.
Kusari-Lila: S’ka pasur asnjë kërkesë për votim të trustit në Grupin Parlamentar të LVV-së
“Për tre muaj sa qarkullon ideja në opinionin publik, brenda grupit parlamentar të LVV-së nuk ka pasur kërkesë për ndryshim të votimit apo opinionit tonë. Në të kundërtën është kërkuar argumenti sa më shumë në opinion publik lidhur me masat tjera që janë marrë nga qeveria për të lehtësuar krizën që po ballafaqohemi të gjithë. Në këtë ide konkrete, s’ka as përmbajtje në aspektin institucional, e as një zgjidhje, as në periudhën afatshkurtër dhe as afatgjatë”, pohoi Kusari-Lila.
Ndryshe nga kjo, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri tha se tërheqja e kursimeve nga Trusti është nevojë e qytetarëve.
Tahiri: Tërheqja e kursimeve nga Trusti nevojë e qytetarëve
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme, tejet e rëndësishme që të marrim një hap që do të zbut sado pak këtë rritjen e madhe të çmimeve dhe është e papërballueshme për shumicën e familjeve. Çështja e Trustit, që prek një numër jashtëzakonisht të madh të familjeve që në mesin e tyre kanë student, nxënës, të moshuar dhe efekti i zinxhiror i këtyre të ardhurave do të jetë i madh”, tha ai.
Kërkesë të ngjashme adresoi edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Përveç këtyre dy seancave, Kryesia caktoi seancë plenare edhe më datë 23 qershor, ku do të mbahet debati parlamentar për ngritjen e çmimeve./TV Malisheva