Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të këmbëngul se pa u vënë sanksione ndaj Serbisë për sulmin terrorist në veri nuk mund të vazhdojë dialogu. Sipas partisë në pushtet është e pamundur të rikthehen në dialog dhe të shtiren sikurse nuk ka ndodhur asgjë me 24 shtator.
Andaj nënvizojnë se para çfarëdo iniciative për rikthim të dialogut fillimisht duhet të dënohet Serbia për aktin e agresionit në Kosovë. Mirëpo, partitë opozitare në vend kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të jetë më e kujdesshme pasi dialogu me Serbinë nuk ka alternativë, andaj nuk guxohet të ketë barrikada të tilla.
Deputetja e LVV-së, njëherësh kryetare e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Arbreshë Kryeziu-Hyseni, thotë për KosovaPress se në rrethanat e aktuale për Kosovën më të rëndësishme janë siguria dhe sanksionimi i Serbisë, se sa dialogu.
“Definitivisht jo. Nuk ka kuptim të dialogohet derisa nuk e ke të sanskionuar një shtet që ka organizuar një sulm terrorist brenda territorit të Republikës së Kosovës. Është e pamundur të dialogohet me një shtet që bënë plane të tilla terroriste me shtetin me të cilin synon të arrijë një marrëveshje normalizimi. Është e pamundur që të rikthehemi në dialog tani sikur thjeshtë nuk ka ndodhur asgjë me datën 24 shtator. Ajo çka ka ndodhur me 24 shtator është e paevitueshme dhe pashmangshme dhe nuk mund të sillemi sikur s’ndodhi asgjë dhe të qëndrojmë komplet indiferent ndaj asaj se çka ndodhi më 24 shtator”, thotë ajo.
/TV Malisheva