Sot, janë bërë 25 vite nga rënia heroike e dëshmorit të parë të Epopesë së Rahovecit, Abdullah Bugari.

Në këtë përvjetor ai është përkujtuar nga kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, bashkëluftëtarët dhe familjarët e tij.

Latifi ka vlerësuar lart figurën e Bugarit për të cilin ka thënë se ai mbetet i gjallë, i buzëqeshur dhe i pavdekshëm në kujtesën e tij dhe bashkëveprimtarëve të organizuar në lëvizjen atdhetare ilegale të kohës, gjithashtu, edhe si një bashkëluftëtar i shquar i UÇK-së.

Postimi i plotë i Latifit:

Në 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së në Rahovec, kujtojmë fillimin e luftimeve për Rahovecin me 17 korrik 1998, kujtojmë martirët dhe dëshmorin e parë të Epopesë së Rahovecit të korrikut 1998, bashkëluftëtarin Abdullah Bugari.
Edhe 25 vjet pas rënies në përpjekje me armiqtë tanë, duke e kryer me nder dhe faqe të bardhë e me armë në dorë detyrën e luftëtarit të UÇK-së, Abdullahu mbeti po ai, i gjallë, i buzëqeshur e i pavdekshëm në kujtesën time e të bashkëveprimtarëve të organizuar në lëvizjen atdhetare ilegale të kohës, gjithashtu, edhr si një bashkëluftëtar i shquar i UÇK-së.
Abdullah Bugari, bashkë me idealin e lartë të lirisë për sendërtimin e të cilit u përjetësua më 17 korrik 1998, në luftimet e përgjakshme për Rahovecin, rron e do të rrojë përjetësisht!
Abdullahu do të kujtohet çdoherë si një veprimtar i organizuar në lëvizjen tonë të fshehtë për liri, gjithashtu për trimërinë e treguar në luftë. Ai ishte shembull frymëzimi për ushtarët e UÇK-së dhe mbetet frymëzim atdhedashurie për të gjithë, sot dhe gjithmonë.
Lavdi!

/TV Malisheva

Share.