Prindërit e Astrit Deharit, Xhemile dhe Avni Dehari, kanë dalë me një reagim pasi Prokuroria Speciale lëshoi autorizim që të intervistohet Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lidhur me një postim që kishte bërë për rastin Dehari.

Ata kanë akuzuar prokurorin Afrim Shefkiu për shkelje në këtë rast, ku pretendojnë për 12 të tilla, derisa kanë kërkuar shkarkimin e tij nga rasti Dehari, “ndjekjen e tij penale për manipulim, neglizhencë, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe fshehje të vrasësve të Astritit.”

“Ne si prindër të Astrit Deharit, duke i pasur parasysh të gjitha këto shkelje, duke e pasur parasysh listën e gjatë të shkeljeve dhe të manipulimeve profesionale e ligjore, sidomos manipulimin e dëshmive dhe dërgimin e dëshmive të manipuluara në Institutin e Lozanës, nuk kemi si të mos vijmë në përfundim se prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, në vend se ta nxjerrë në shesh të vërtetën për vrasjen e Astritit në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit, shkel ligjin për ta mbrojtur urdhërdhënësin për vrasjen e Astritit dhe vrasësit e Astritit në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit më 5. 11. 2016.

Rrjedhimisht, ne si prindër të Astritit të vendosur për zbardhjen e rastit dhe për nxjerrjen e personave përgjegjës para drejtësisë ligjore, kërkojmë nga institucionet përgjegjëse dhe kompetente për ndjekjen e krimit të rëndë – vrasjes, shkarkimin e Afrim Shefkiut nga rasti i Astritit, ndjekjen e tij penale për manipulim, neglizhencë, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe fshehje të vrasësve të Astritit. Afrim Shefkiu mund të jetë gjithçka tjetër, por assesi nuk mund të jetë prokuror!”, thuhet në reagimin e prindërve të Deharit.

/TV Malisheva

Share.