Shkrun Afrim Kasolli
Sipas të gjitha gjasave sot në Bruksel temë kryesore e diskutimit ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe përfaqësuesve më të lartë të BE-së, do të jetë tema e themelimit të Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Për ta maskuar këtë diskutim janë sajuar interpretime sikurse “plani i ri” për dialog, apo “propozim evropian”.
Qeveria e Kosovës ka deklaruar se Kryeministri është pajtuar që ky plan të jetë “korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate”. Kurse, Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka pohuar se “një propozim i tillë i është dukur në aspektin kushtetues në rregull, edhe pse e kishte lexuar vetëm sipërfaqësisht”. Por që nuk është kundër tij në parim.
Sidoqoftë, e vërteta është se as nuk ka plan të “ri” e as të “vjetër”. Por është fjala për të njëjtin dokument. Në fund të fundit, siç e kanë bërë të qartë vetë zyrtarët e BE-së këto takime mbahen me qëllim shtensionimn e situatës pas inkursionit ushtarak të grupeve të armatosura nga Serbia dhe ringjalljen e dialogun me qëllim zbatimin e planit franko-gjerman dhe Marrëveshjen e Ohrit i cili parasheh implementimin e këtij plani. E siç dihet, pjesë e këtij dokumenti është edhe themelimi i Asociacionit. Madje vet Kryeministri para dy dite nga Athina deklaroi se është e domosdoshme që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani. Në këtë kontekst, këto indakacione dëshmojnë se tashmë Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmërinë e saj për realizimin e këtij obligimi.
Mirëpo, pajtimi në këtë mënyrë i themelimit të entitetit të Asociacionit është dëmi më i madh që mund t’i bëhet Kosovës në këto rrethana . Dhe këtu nuk po flas për strukturën e tij juridike dhe politike, por vetëm për procesin politik që po i paraprin këtij akti.
E para presioni për implementimin e tij vjen pak ditë pasi Serbia nëpërmjet strukturave të saj të saj paramilitare ndërmori një aksion brutal kundër integritetit territorial të Kosovës. Prandaj, fillimi i procedurave për themelimin tij pas kësaj ngjarje mund të merret si shpërblim për këtë akt të Serbisë. Po ashtu, kjo logjikë e transmeton mesazhin se sa më destruktiv Beogradi do të jete ndaj Kosovës, aq më shumë përfitime do të ketë. E, këtu duhet kujtuar faktin se asnjë masë ndëshkuese nuk është imponuar deri më sot kundër Serbisë, ndërkohë të njëjtat nuk janë suspenduar ndaj Kosovës, të cilat i qenë imponuar për shkak të zhvillimeve në pjesën veriore.
E dyta pajtimi për një dokument që nuk është produkt i shtetit të Kosovës, por që vetëm i mbivendoset atij, e cenon tej mase sovranitetin e vendit. Ky solucion mbase mund t’i shërbejë Albin Kurtit për t’u justifikuar para mbështetëseve të tij se nuk kishte alternativë tjetër, pos që në fund ta pranonte këtë kapitullim politik dhe diplomatik, por si i tillë ky opsion mbetet fatal për të ardhmen e shtetit.
Dhe e treta, partia në pushtet derisa ishte në opozitë e ka përdorur këtë temë si gogol për të përfituar politikisht. Protestat e saj të dhunshmja si dhe sulmet mbi institucionet demokratike të vendit ishin bërë me justifikimin që ta pengonin me çdo çmim zbatimin e Asociacionit. Prandaj, jetësimi i tij sot nga ata që janë në pushtet me qëllim që ta ruajnë atë, ashtu sikur se dje e kundërshtonin “Zajdenicën” për të përfituar, nuk është asgjë tjetër pos legalizim i dhunës për qëllime politike.
Në këtë drejtim ky do të ishte dëmi më i madh i mundshëm që do t’i bëhej demokracisë së brendshme në Kosovë.