Një biletë e rregullt autobusi, njëdrejtimëshe, do të ketë çmimin 50 centë, apo 10 centë më shtrenjtë se që ka qenë më parë, ka bërë të ditur Komuna e Prishtinës. Plani i ri tarifor u bë i ditur një ditë më parë ndërsa do të implementohet qysh sot.
Në njoftimin e komunës bëhet e ditur se ky vendim është marrë në kuadër të Marrëveshjes së Kredisë mes Trafiku Urban Prishtinë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), me qëllim të përmirësimit të shërbimit të transportit publik dhe inkurajimit të qytetarëve për përdorimin e autobusëve.
Riorganizimi i planit të tarifimit ka bërë që të ndryshojnë edhe çmimet e tjera, ku për të gjithë përdoruesit e rregullt, çmimi i biletës mujore nga 14.00 euro do të zbresë në 13.50 euro.
Në anën tjetër, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se për t’iu përshtatur nevojave të të gjithë qytetarëve, kanë përfshirë në planin tarifor biletat javore dhe ditore shumëpërdorimëshe si në vijim:
• Bileta Ditore përfshin udhëtime vajtje-ardhje pa limit përgjatë 24 orëve, me çmimin 0.80€
• Bileta Javore përfshin udhëtime vajtje-ardhje pa limit në të gjitha ditët e javës, me çmimin 4.00€
Një biletë e rregullt autobusi, e cila mund të përdoret vetëm për një drejtim, do të ketë çmimin 0.50€.
Ndërkaq, kartelat javore dhe mujore mund t’i bleni në pikat e shitjes së Trafikut Urban:
📍 Kioska me logon e Trafiku Urban, prapa Objektit të Komunës së Vjetër (tek “Plepat”),
📍 Kioska me logon e Trafiku Urban, në lagjen Kodra e Diellit, (tek “Banesat e Bardha”).
Bëhet e ditur se biletat ditore 24-orëshe dhe ato me një drejtim, qytetarët mund t’i blejnë si zakonisht në autobus, duke u pajisur me kupon fiskal. /TV Malisheva