Albin Kurti në vazhdimësi ka tentuar që të shfaqet para opinionit publik si një politikan që e ka prioritet mbrojtjen, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik. Këtë retorikë ai e përdori edhe me rastin e miratimit të Ligjit të Buxhetit për vitin 2024 në Kuvendin e Kosovës.

Para deputetëve të Legjislativit ai deklaroi se ky buxhet do të jetë buxhet i mbrojtjes dhe sigurisë. Ndonëse deputetët e opozitës shprehën rezerva ndaj këtij pretimi. Ish-kryeministri Avdullah Hoti shprehu rezervat e tij duke pohuar në rrethanat e sotme Kosovës i nevojiten 6% investime e Bruto Produktit Vendor në mbrojtje, në mënyrë që të plotësohen nevojat shtetërore në këtë segment. Ndërkohë, me këtë planifikim buxhetor, kjo shumë nuk arrin as 2 % dhe me tendencë të rënies dhe pakësimit.

Sidoqoftë, ky narracion nuk është i ri për të parin e Qeverisë së Kosovës. Ai ishte mbrojtur dhe ekspozuar ndër vite gjatë betejave të tij politike. Si kur ishte në opozitë ashtu edhe si premtim elektoral, si dhe pjesë e programit qeveritar kur ishte mandatuar nga Kuvendi i Kosovës.

Atëbotë para qytetarëve të Kosovës dhe përfaqësuesve politikë të tyre, Albin Kurti ishte zotuar se me qeverinë e tij shërbimi ushtarak do të jetë i detyrueshëm (sa është racional ky premtim, është tjetër temë?). Po ashtu, kishte deklaruar se ky proces do të kryhej në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira të vendeve të NATO-s. Shërbimi përshihej të kishte kohëzgjatjen tremujore, e i cili do t’i ndihmonte FSK-së t’i përmbushë detyrat dhe rolin e saj shtesë në fushën e mbrojtjes.

Përtej këtij premtimi Qeveria e Albin Kurtit ishte betuar se do të jetë qeveri që do ta bëjë edhe dënimin e krimeve të luftës. Në këtë kontekst ishte premtuar se ekzekutivi gjatë këtij mandati do të përgatiste padi për krimet e luftës ndaj shtetit të Serbisë. Kurse në funksion të kësaj detyre ajo do ta miratonte ligjin për krimet e luftës, gjenocidit dhe krimet kundër njerëzimit dhe agresionit.

Megjithatë, jemi në vitin e fundit të mandatit të kësaj Qeverie dhe asnjëri prej këtyre zotimeve nuk është realizuar. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak ka mbetur vetëm në letër, duke u imituar si ide nga LDK-ja, në kuadër të programit të saj, “Rruga e re”, ndonëse në këtë rast vetëm obligim në sferën e arsimimit dhe edukimit. Kurse, për shkak të tensionit me aleatët perëndimorë rreth zhvillimeve në veri, FSK ishte përjashtuar edhe nga ushtrimet e përbashkëta me NATO-n. Ndërkaq, padia për krime lufte kundër Serbisë dhe ligji në fjalë as që janë përmendur më tutje. Përkundrazi me dakordimin për Marrëveshjen e Brukselit dhe planin e zbatimit në Ohër, Albin Kurti u pajtua që trashëgimia e së kaluarës të tejkalohet.

/TV Malisheva

Share.