GJON GJERGJAJ (Gjongjergjaj Lyra)
(pjesë nga recensioni):
Në mesin e rreth 70 veprave origjinale e të dymbëdhjetë librave të tjerë të përgatitur për shtyp, ky është vëllimi i katërt që Prend Buzhala ndjek e kultivon një zhanër të veçantë, siç i quan autori, tregime me pak fjalë, apo siç përmendet në teorinë e zhanreve anglisht: very short story. Ndërkaq, në këtë vëllim këtë zhanër e quan rrëfejza të vërteta, në të cilin, sipas procedimit postmodern borhesian, gërsheton faktin me fiksionin.
Në të vërtetë, cikli i parë “PUSI I ZËRAVE TË SHENJTORËVE” përbëhet prej njëzet këso rrëfejzash dhe kanë një unitet jo vetëm tematik, po edhe procedimor e stilistik. Lexohen si një tërësi e ndarë në njëzet kapituj. Si një roman gjithëkohësie! Ato i përshkon tematika e gjurmimit të fateve tragjike, dramatike dhe historike, shpirtërore dhe kulturore të figurave nacionale-spirituale që nga Iliria e deri në fund të shekullit XX.
Fjala është për tiraninë dhe totalitarizmin, dhunën dhe gjenocidin që është ushtruar mbi qenien tonë që nga perandoria romake, nëpërmes Bizantit serbo-ortodoks, Perandorisë otomane e deri te regjimi komunist. Rrëfejza (fiksioni) gërshetohet me të vërtetën historike e kulturore, me dokumentin e me imagjinatën. Ato shpesh janë plot lirizëm dhe lexohen edhe si poezi të vërteta! Autori gjithnjë gjen një shteg të ri, një mundësi të re, risimtare, jo vetëm për t’u shprehur, por edhe për të vënë kontaktet e komunikimit shumëplanësh: me të kaluarën me kohën e sotme, kurse ky komunikim është urë për të depërtuar edhe në përmasa të tjera, siç janë spiritualja, misteri, qëndresa e pazakontë përballë furive shekullore, furive të ideologjive shkatërrimtare dhe atyre jo njerëzore.