Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj, ka rikthyer për shqyrtim në Kuvend ndryshimet në ligjin për shtetësinë. Në arsyetimin e kreut të shtetit thuhet se ky këtë ligj nuk është miratuar sipas kushtetutës, e cila parashikon miratimin me shumicë të cilësuar.

“Për një ligj për të cilin Kushtetuta ka parashikuar miratimin me shumicë të cilësuar, konkretisht 84 vota, këto amendamente nuk e kanë marrë numrin e kërkuar të votave dhe nuk mund të quhen të miratuara”.

Sipas presidentit në ndryshimet në ligj janë konstatuar shkelje procedurale.

“Në procesin e kontrollit kushtetues, konstatimi i shkeljeve procedurale, të cilat bien ndesh me një dispozitë kushtetuese (shkronja “b” e pikës 2 të nenit 81 të Kushtetutës) është shkak i vetëmjaftueshëm për kthimin për shqyrtim të ligjit”.

Begaj thekson se “fitimi i shtetësisë me natyralizim sipas Konventës ka kusht të detyrueshëm qëndrimin në mënyrë të ligjshme dhe të vazhdueshme për një periudhë të caktuar përpara depozitimit të aplikimit. Kohëzgjatja e periudhës së rezidencës varet nga vullneti i ligjvënësit. Konventa, nga ana e saj, kërkon vetëm që kjo kohëzgjatje të mos jetë më e madhe se dhjetë vjet”.

/TV Malisheva

Share.