Prishtina mbetet i vetmi qytet që nuk ka spital rajonal dhe ka kohë që premtohet një spital i tillë në kryeqytet, megjithatë, duket që do të shkojnë edhe shumë vite derisa ai të ndërtohet.
Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka premtuar një spital të tillë dhe aktualisht komuna na nis të bëjë një analizë të situatës dhe gjithashtu është ndarë një buxhet për të bërë plan ideor.
Drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku, ka thënë se ndërtimi i spitalit të qytetit ka qenë premtim disa herë nga kryetarët e komunave, ndonëse ka thënë që kryetari i Komunës së Prishtinës ka ndarë një shumë te buxhetit për ndërtimin e Spitalit, por që mbetet të shihet në vitet e ardhshme.
“Me ligjin e Prishtinës e ka të drejtën përveç organizimit dhe menaxhimit të shëndetësisë primare, e ka të drejtën me themelu edhe institucionet e shëndetësisë sekondare. Njëra prej tyre është edhe Spitali i qytetit të Prishtinës, i cili ka qenë premtim disa herë deri tash. Mirëpo duke pas parasysh nevojat që ka qyteti dhe nevojat që ka komuna e Prishtinës, që është qytet me numër më të madh të banorëve dhe është i vetmi qytet që nuk ka spital rajonal të qytetit, kryetari Rama e ka pas në plan me ndërtu Spitalin e Prishtinës, dhe ne e kemi filluar këtë vit me bë një analizë të situatës, cilat do të ishin nevojat për një spital të qytetit dhe këtë vit kryetari ka ndarë një buxhet të caktuar për të bërë plan ideor, dhe pastaj do të shihet në vitet tjera të mandatit tij për të filluar ndërtimi i spitalit”, theksoi Sadiku.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka theksuar se çështja e Spitalit të Prishtinës është në diskutim, por që nuk dihet ende se çfarë spitali do të ndërtojnë.
“Çështja e Spitalit të Prishtinës, është në diskutim. Jam shumë i interesuar që në një mënyrë me zgjidh problemin e shëndetësisë edhe në Prishtinë, edhe në QKUK. Tash a e ndërtojmë një spital të ri të Prishtinës apo një Spital Universitar Shkencor, është diçka që ne duhet të kuptohemi dhe po bisedojmë nivelet më të larta”, theksoi Latifi.
Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje me shkrim, ka thënë që për këtë vit, MSh nuk ka në kuadër të kategorisë së investimeve kapitale investime për Spitalin e Prishtinës.
“Për ndërtimin e një spitali të tillë, Kuvendi Komunal i Prishtinës duhet t’i bëjë kërkesë MSh-së për lëshimin e vendimit për themelimin e një spitali të tillë, sikurse që duhen qartësuar edhe detaje të tjera. Sigurisht, si çështje do të trajtohet në kohen e duhur midis komunës dhe MSh-së”, thuhet në përgjigjen e MSH-së. /TV Malisheva