Në qendrën e vaksinimit në Prishtinë, ka vazhduar vaksinimi i të moshuarve mbi moshën 65 vjeç. Kjo sallë ishte e mbushur me persona të moshuar të cilët në dorë mbanin një numër me të cilin prisnin në radhë për t’u vaksinuar.
Derisa paradite të gjithë prisnin jashtë, tashmë shumë të moshuar kishin hyrë brenda, ishin ulur në karrige dhe po prisnin në radhë, megjithatë përsëri kishte mosrespektim të masave anti-COVID.
Meqenëse në mëngjes para sallën “1 Tetori”, u shkaktuan shumë tollovi, për të mbajtur rendin dhe distancën, pasdite para kësaj qendre janë vendosur rrethoja.
Disa qytetarë që u vaksinuan shprehën pakënaqësitë e tyre edhe për organizimin e vaksinimit por edhe për vaksinën që u jepej atyre. Shumica kishin ardhur të vaksinohen me Pfizer por ata po të gjithë morën vaksinën AstraZeneca.
Sadbere Rrahmani, 86 vjeçare thotë se tani pasi u vaksinuar po ndihet mirë por që iu deshtë të prite rreth 6 orë derisa i erdhi radha për t’u vaksinuar.
Rrahmani: Kam pritur shumë
“Njëherë mirë ….boll shumë më ra me prit, prej 7 që ka ardhur djali këtu e deri tani….86 vjeçare”, tha ajo.
Pasi e mori dozën e parë të vaksinës AstraZeneca, Ola Syla thotë po ndihet mirë që u vaksinuar përkundër pritjes.
Syla: Mirë jam u vaksinova me AstraZenenca
“Mirë jam që po pres reagimin mos kam ndonjë alergji apo diçka…Kam ardhur në ora 8:00 edhe deri tash mirë, nuk ka qenë diçka në rregull ka qenë…Me të tregu drejtë kohëve të fundit më nuk zgjedhsha cilëndo që e kisha marrë shumica që e kanë marrë më kanë thënë që është e mirë, është e sigurt”, u shpreh Syla.
Ragip Bytyqi ka adresua kritika karshi Ministrisë së Shëndetësisë për organizimin e vaksinimit për të moshuarit. Ai thotë se sot veprimet e MSH-së, e kanë rrezikuar shëndetin e qytetarëve.
Bytyqi: MSH është dashur ta organizoj këtë proces më mirë, na kanë rrezikuar shëndetin
“Prej 07:30….Për momentin mirë…AstraZenecën këtë që e kanë pasur…..organizimi nuk ka qenë kurfare me pritur dy orë jemi të gjithë 65 vjeçar të gjithë të sëmurë domethënë që MSH është dashur të organizoj më mirë….Kjo sallë ishte plotë rreziku më i madh ishte këtu të infektohemi ndokush ministria në vend që të mendoj që mos të kemi rrezik prej COVID ajo i grumbullon njerëzit këtu”, u shpreh Bytyqi.
Pas tri orë pritjesh më në fund dozën e parë të vaksinës sot e mori edhe Bedrie Rudari, e cila thotë se ajo kishte ardhur për ta marrë vaksinën Pfizer por u detyrua ta marrë AstraZenecën.
Rudari: Kam qenë e përgatitur për Pfizer por e morëm cila qëlloi
“Mirë ka shkuar mirë.. dy tri orë po kemi pritur mos më shumë…AstraZenecën cilën na e qitën…Për tjetrën kam qenë e përgatitur por cila qëlloi….67 vjeçare…Jam e operuar prej gjëndrrës, osteoporozës, kam reumë”, tha Rudari.
Në mëngjesin e sotëm para sallën “1 Tetor”, u shkaktua tollovi e madhe pasi shumë qytetarë qysh në mëngjes ia kishin mësyrë kësaj qendre për t’u vaksinuar.
E kjo turmë e madhe shkaktoi reagimin e partive opozitare të cilat hodhën kritika karshi procesit të vaksinimit kundër COVID-19.
Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi reagoi duke thënë se në qendrën e vaksinimit në “1 Tetor” mund të vaksinohen vetëm qytetarët e Prishtinës, derisa ftoi qytetarët e komunave të tjera t’u drejtohen komunave nga vijnë. /TV Malisheva