Dy ditë pasi morën besimin e deputetëve, Qeveria Hoti në mbledhjen e së premtes ka miratuar programin qeverisës për vitin 2020-2023. Krahas kësaj, kabineti qeveritar ndau 25 mijë euro për familjen e Agon Musliut që humbi jetën në Qendrën e Studentëve. Derisa i kërkuan Kuvendit të Kosovës leje për të bërë ndryshimin e tejkalimit të përkohshëm të rregullave fiskale për pakon emergjente financiare.
Në mbledhjen e dytë të ekzekutivit Hoti është vënë në pikëpyetje procesi i Vetingut në sistemin e drejtësisë, ndërsa nga ministri i Mbrojtjes u kërkua që në kuadër të programit qeverisës të jetë edhe shërbimi ushtarak, premtim ky edhe i ish kryeministrit, Albin Kurti.
Kryeministri Avdullah Hoti duke arsyetuar programin qeverisës tha se në planin afatshkurtër përfshihet lufta ndaj pandemisë Covid 19, rimëkëmbja ekonomike prej 1.2 miliardë eurosh dhe përmbyllja e dialogut me Serbinë.
Për këtë të fundit, shefi i ekzekutivit u zotua se do të përmbyllet me kufijtë ekzistues dhe pa shkëmbim të territoreve.
Hoti: Nuk lejojmë ndryshim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve
“Marrja e plotë e përgjegjësive si qeveri në përputhje me Kushtetutën për të çuar përpara dialogun me Serbinë. Në bashkëpunim të ngushtë me BE-në dhe ShBA-në. Duke mos lejuar ndryshim të kufijve dhe shkëmbim të territorit”, tha ai.
Ndërkaq në planin afatgjatë, Hoti tha se programi i tyre përfshinë luftën ndaj korrupsionit dhe zhvillimin ekonomik.
E, vartësi i Hotit, zëvendëskryeministri Besnik Tahiri tha se në kuadër të programit qeverisës është edhe pako e reformave shtetërore, në kuadër të kësaj theksoi se hynë edhe Ligji për Qeverinë.
Tahiri: Do të hartojmë 22 rregullore në zbatimin e pakos së reformave shtetërore
“E para lidhet me vazhdimin ose zbatimin e pakos së reformave shtetërore që e kemi bërë në qeverinë Haradinaj. Ju e dini që ne kemi miratuar ligjet bazë, tani si qeveri në momentin kur do të vjen vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të hartojmë edhe 22 rregullore që të cilat e sigurojnë zbatimin e këtij programi. Prej këtyre katër rregullore janë të rëndësishme për zbatimin e Ligjit të Pagave”, u shpreh ai.
Për shtetin e së drejtës foli zëvendësi i tretë i kryeministrit, Driton Selmanaj, por që tha se nuk është e qartë a do të bëhet procesi i Vetingut në drejtësi, apo jo.
Selmanaj: Akoma nuk jemi krejtësisht të qartë nëse do të realizojmë një proces të Vetingut
“Akoma nuk jemi krejtësisht të qartë nëse vërtet do të realizojmë një proces të Vetingut ose diçka të ngjashme. Por përkushtimi ynë do të jetë që ne në bashkëpunim me partnerët tanë vendor dhe ndërkombëtar do të provojmë që t’i identifikojmë sfidat që ky sistem i ka aktualisht. Në mënyrë që t’i adresojmë fuqishëm, qoftë në përmirësimin e performancës së brendshme, apo edhe në instrumente të tjera të kontrollit të brendshëm që kanë nevojë”, u shpreh ai.
Ndonëse ishte në programin qeverisës të ish kryeministrit Kurti, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni kërkoi që mandatin e Qeverisë Hoti të përfshihet edhe shërbimi obligues ushtarak.
Quni: Kemi të dhëna të mirë që disa shtete anëtare të NATO-së praktikojnë këtë shërbim
“Në lidhje me shërbimin obligues ushtarak, pasi që kemi të dhëna të mirë të disa anëtare të NATO-s që e praktikojnë këtë shërbim”, tha ia.
Para votimit të programit qeverisës folën edhe disa prej ministrave të kabinetit Hoti, të cilët sipas dikastereve tyre potencuan prioritetet e tyre. E ai i shëndetësisë, Armend Zemaj premtoi reformë në sistemin e shëndetësisë. /Tv Malisheva