Komisioni për Buxhet dhe Financa i ka dhënë dritën jeshile projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike.

Ndërsa kryeministri Avdullah Hoti, ka lutur të gjithë deputetët që ta votojnë në mënyrë që t’i hapet rrugë rimëkëmbjes ekonomike.

Hoti përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se janë në rrugë të mbarë për të mobilizuar shumën prej 1.2 miliardë euro për rimëkëmbje ekonomike.

Ky është postimi i tij i plotë:

Po krijohen kushtet për zbatim të plotë të pakos për rimëkëmbje ekonomike

Sot, në Komisionit për Buxhet dhe Financa, është miratuar dhe përcjell për seancë projektligji për rimëkëmbje ekonomike. I falënderoj të gjithë anëtarët e Komisionit për mbështetje. I lus të gjithë deputetët që të mbështesin këtë projektligj në seancë, në mënyrë që të miratohet para se Kuvendi të shkojë në pushim veror.

Programi për rimëkëmbje ekonomike financohet nga tre burime: (1) mjetet nga buxheti i rregullt, (2) marrëveshjet ndërkombëtare dhe (3) ligji për rimëkëmbje ekonomike. Dy të parat tanimë janë miratuar, për të cilën gjë jam falënderues ndaj të gjithë deputetëve.

Me buxhetin e vitit 2021, do të zhvillohen masa të tjera dhe do të vazhdojnë disa nga masat ekzistuese, si dhe do të identifikohen instrumente financiare shtesë për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike.

Jemi në rrugë të mbarë për të mobilizuar shumën prej 1.2 miliardë euro për rimëkëmbje ekonomike./Tv Malisheva

Share.