Sot është bërë promovimi i dhjetë librave të ekonomisë dhe i Monografisë “Komunikimi dhe bashkëpunimi Kroaci-Kosovë”, të autorit Muhamet Sadiku.
Librat e autorit ofrojnë analiza të thella por edhe sugjerime të argumentuara për ndryshime ekonomike. Autori po ashtu kushton rëndësi të veçantë bashkëpunimit ndërkombëtar dhe integrimeve rajonale që duhet të ndjekin vendet e vogla. Ai eksploron se si krijimi i aleancave strategjike dhe pjesëmarrja në marrëveshjet tregtare rajonale mund të rrisë qëndrueshmërinë ekonomike dhe konkurrencën.
Profesori i ekonomisë, Halim Gjergjizi ka dhënë një vështrim për librin “Ekonomia dhe shtetet e vogla”. Sipas tij, ky është ndër librat më të kompletuar që ka ofruar autori lexueseve rreth mendimit modern dhe makro-ekonomik.
Në këtë libër, autori në epiqendër të analizës i ka nxitësit kryesor të zhvillimit ekonomik në vendet e vogla.
“Kosova mund të përdor shkathtësitë, fleksibilitetin dhe specializimin e bizneseve të veçanta për të krijuar avantazhe konkurruese në industri ose në sektorët e tjerë, por natyrisht duhet të ndërmerren veprimet konkrete sa i përket investimeve, sidomos në arsim. Libri është një studim thelbësor për lexuesit e interesuar për të kuptuar realitetin ekonomik të shteteve të vogla”, tha Gjergjizi.
Ndërsa, profesoresha e ekonomisë, Shpresa Shehu-Kursani, ka treguar më shumë për përmbajtjen e librit “Migrimi dhe mobiliteti i tregut të punës”.
Kursani ka theksuar se në këtë libër, autori përveç përkufizimeve nga aspekti social dhe ekonomik dhe nivelit zhvillimor, trajton edhe aspektet gjeografike.
“Mobiliteti i punës në kushtet dhe trendët e reja zhvillimore, si në shkencë, ashtu edhe në teknologji, po merr sot një dimension të ri. Kjo ka imponuar nevojën që jo vetëm vendet e varfra por edhe vendet mesatarisht të zhvilluara e me të ardhura të ulëta, të ndërtojnë politika aktive zhvillimore dhe të tregut të punës, në mënyrë që mos të dalin humbës të efekteve nga investimet në kapitalin njerëzor. Autori adreson në shumë aspekte dhe në mënyrë shumë komplekse fenomenin e migrimit. Përveç përkufizimeve nga aspekti social dhe ekonomik dhe nivelit zhvillimor, trajton edhe aspektet gjeografike, llojet dhe tipet e migrimit, historinë e migrimeve, aspektet e strukturës së migrimit, efektet zhvillimore, faktorët ndikues, përfitimet dhe humbjet nga lëvizjet migruese dhe emigruese, duke i ndërlidhur të gjitha këto, me aspektin ekonomik dhe zhvillimor”, tha Shehu-Kursani.
Ndërsa, autori i librave, Muhamet Sadiku derisa ka treguar disa detaje për përmbajtjen e librave, bëri thirrje gjithë atyre që sjellin vendime afatgjate ekonomike të shfrytëzojnë ekspertizën që ka Kosova.
“Gjatë shkrimit të këtyre librave kam shfrytëzuar 1900 njësi bibletokare, 1900 tekste, 99 për qind në gjuhen angleze. Librat janë kryesisht parafrazim i literaturave që ka të bëjë me gjuhën angleze e cila mbështet nga zhvillimi i mendimit ekonomik. Po e shoh një Kosovë tjetër fare, një Kosovë, audience tejet të kualifikuar, një audiencë e cila po reflekton kapacitetet të zbuluara dhe për fat të keq kapacitete të zbuluara por ende të pashfrytëzuara. Andaj, dëshiroj të u’a bëjë një kthesë të gjithë atyre që sjellin vendime afatgjate ekonomike, sociale, që ta shfrytëzojnë këtë ekspertizë të kësaj Kosove”, tha Sadiku.
Në promovimin e 10-të librave, mori pjesë edhe ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danjela Barisiç.
10-të librat që u promovuan sot nga autori Muhamet Sadiku janë “Rritja ekonomike dhe zhvillimi”, “Ideologjia ekonomike dhe zhvillimi”, “Komunikimi dhe Bashkëpunimi Kroaci-Kosovë”, “Ekonomia e shteteve të vogla”, “Zhvillimi dhe kufijtë”, “Diversifikimi ekonomik dhe eksporti”, “Etika e biznesit”, “Gjeoekonomia”, “Migrimi dhe mobiliteti i tregut të punës”.