Në Deçan sot është promovuar libri i Fetnete Ramosaj me titull “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit-dokumente e raportime të luftës 1998-1999”.
Me këtë rast u tha se autorja, Fetnete Ramosaj, me këtë libër jep edhe një dëshmi për atë se çka ka ndodhur në luftën e fundit. Për librin u tha se është shkruar mbi bazën e dokumenteve autentike. Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, tha se luftëtarët nuk vdesin asnjëherë, sikurse autorja e librit.
“Luftëtarët nuk vdesin asnjëherë, sikurse Fetnetja. Sot jemi mbledhur që ta shënojmë një rezultat, një të arritur. Është sukses sepse bëhet fjalë për një femër, vajzë luftëtare. Është e rëndësishme me e cek se në UÇK ka pasur vajza. Të gjitha detyrat e luftës femrat në UÇK i kanë kryer. Fetnetja ka arritur t’i jep edhe suksese të tjera Kosovës, pra t’i jep dëshmi materiale që do t’i qëndrojnë kohës.
“Ka fotografi që studiuesit mund t’i shohin. Mund t’i themi sot faleminderit Fetnetes për këtë dhuratë që ia jep Kosovës, një periudhë të lavdishme të vendit. Të gjithë ata që kanë dëshmi ta faktojnë kohën e luftës, duhet ta bëjnë këtë”.
“Ajo shprehja i vdekuri me të vdekurit, i gjalli me të gjallët, nuk vlen për Fetneten se ajo është e gjallë. Një jetë ia kushtoi kauzës për liri”, tha ai.
Kryeministri në detyrë, familjes së Fetnete Ramosaj i ka ndarë medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin për shërbimin ndaj atdheut.
Ndërkaq kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se në ditën e lindjes së autores po promovohet libri i saj.
“Jemi bërë bashkë për të promovuar një vepër unike të një autoreje që po ashtu është unike. Të gjithë kemi një histori për të treguar, Fetnetja është unike se këtë histori e dokumentoi për ne. Fetnetja është unike ndër personalitetet, vepra është unikate e kësaj natyre, raportimi, dokumentet e paraqesin lavdinë e UCK-së. Është një libër që do t’i shërbejë historianëve”, tha ai.
Gjenerali, Kudusi Lame, tha se nëse dikush dëshiron t’i shërbejë atdheut nuk e ndalë as vdekja.
“Kush do t’i shërbejë atdheut nuk e ndal as vdekja. Atë që nuk e bëjnë dy shtete shqiptare Fetnetja po na e jep shembullin se si duhet bërë edhe kur shteti nuk të ndihmon. Libri i Fetnete Ramosaj mban brenda vetës një histori të jetuar. Po bëhen 20 vjet që luftërat janë ndalur në trojet shqiptare. Fetnetja na tregon se çka ka ndodhur. Kjo luftëtare po e vazhdon luftën edhe përtej botës”, tha ai, shkruan kp.
Bashkëveprimtari i Fetnete Ramosajt, Rasim Selmanaj, u shpreh se bashkëpunimi dhe rrugëtimi me të janë kujtimet më të mira që i mban.
“Sot po e promovojmë këtë libër dhe po e përkujtojmë Fetnete Ramosajn. Bashkëpunimi dhe rrugëtimi me të janë kujtimet më të mira dhe më të dhimbshme me të. Ajo ishte prapavija e fortë në çdo aktivitet. Ky libër është një dokument për rrjedhjen e luftës në Dukagjin. Fetnetja me këtë libër është kujtesa jonë”, tha ai.