Opozita në Shqipëri ka thirrur të enjten një protestë mbarë popullore në Tiranë për të demonstruar kundër qeverisë socialiste, të cilën e akuzon për kapjen e shtetit dhe korrupsion.

Që në orët e mëngjesit, protestues nga pjesët tjera të Shqipërisë i janë përgjigjur ftesës së kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha. Kjo është protesta e parë e thirrur nga Berisha pas rimarrjes së udhëheqjes së PD-së në Shqipëri, e cila u përcoll me përçarje dhe trazira në radhët e demokratëve.

“Kjo është protesta që inauguron procesin e largimit të Edi Ramës nga pushteti. Protestat ndalen vetëm atëherë kur realizojnë qëllimin e tyre madhor”, tha Berisha. Ai shtoi se “sot protestojnë fuqishëm mbarë shqiptarët kundër manipulimit të votës dhe kundër Ballkanit të Hapur”.

Sali Berisha vazhdimisht ka akuzuar kryeministrin Rama për afërsi me Serbinë dhe e ka quajtur Ballkanin e Hapur “një projekt që nuk synon gjë tjetër veçse vendosjen e hegjemonisë serbe në rajon”.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk e ka komentuar tubimin e demokratëve, por ka paralajmëruar më herët se do të marrë pjesë më 7 korrik në inaugurimin e ByPass-it të qytetit të Vlorës.

Ministrja e Marrëdhënieve me Parlamentin e quajti protestën e sotme, protestë private të Sali Berishës. Elisa Spiropali tha se ironike është që kundërshtarët më të ashpër të qeverisë, sot janë në fakt përballë atyre që do të jenë në shesh sonte.

“Do të doja të shihja ata që po i godet kriza e jo ata që janë bashkë-aksionerë në ashpërsimin e saj, jo ata që vijnë me Range Rover e përdorin si mish për topat e luftës për pushtet me të varfrit. Do të doja të shihja qytetarët e së nesërmes, jo komunistin e fundit të Europës që kërkon të vijë sërish në pushtet. Pi ujë Sali kudo të jesh, se është vapë e të pret një pasdite e lodhshme në protestën vetmitare dhe private. Po kërkon të shpikësh vetveten, por ti e di dhe vetë që uji yt ka sosur”, tha Spiropali nga foltorja e Kuvendit.

Në anën tjetër, Policia e Shtetit ka njoftuar se 1 mjë efektivë të forcave të ndërhyrjes së shpejtë do të jenë në terren për të siguruar mbarëvajtjen e protestës 3-orëshe, ndërkohë që godina e Kryeministrisë është blinduar me dyer dhe dritare hekuri.

Policia ka parashikuar kordonin e efektivëve në dyert e Kryeministrisë, ndërsa insitucionet e larta të shtetit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të ruhen nga forcat speciale.

Ambasada Amerikane në Tiranë ka paralajmëruar shtetasit e saj që ndodhen në Shqipëri mbi protestën.

“Shtetasit amerikanë këshillohen që të shmangin grumbullimet e mëdha në qytet. Edhe pse shumë evente të tilla janë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat vendase dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve të rendit për informacionet më të fundit”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane.

Përplasjet politike në Shqipëri vine mes trazirash në Ballkan dhe një polarizimi në rritje ne rajon.

Ndonëse nuk janë të ndërlidhura, protestat në Shqipëri pasojnë protestat e dhunshme nga opozita në Maqedoninë e Veriut, tensionet politike që po lëkundin qeverinë e pakicës në Mal të Zi dhe paralajmërimeve për protesta në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku kriza politike mes tre komuniteteve pengon qeverisjen e vendit./REL/

/TV Malisheva

Share.