Sot është mbajtur protesta në Prishtinë e thirrur kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe.
Përpos atyre që protestuan kundër ndërtimit të xhamisë, aty pat disa qytetarë që e kundërshtuan këtë protestë.
E për këtë protestë kanë reaguar edhe liderët politikë.
Presidenti i vendit Hashim Thaçi përmes një statusi në Facebook, ka thën se ndjehet krenar që së bashku me kreun e komunitetit të besimtarëve myslimanë dhe me Presidenten Jahjaga e vunë edhe gurthemelin e Xhamisë në Prishtinë.
Thaçi ka thënë se protesta dhe shprehja e pakënaqësisë janë vlera demokratike në shoqërinë tonë, por ato asnjëherë nuk duhet të shërbejnë për nxitjen e urrejtjes ndërfetare dhe ndëretnike. Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj.
“Ndjehem mirë dhe krenar, që së bashku me kreun e komunitetit të besimtarëve të krishterë dhe me Presidentin Rugova kemi vënë gurthemelin e Katedrales në Prishtinë. Po ashtu, ndjehem mirë dhe krenar, që së bashku me kreun e komunitetit të besimtarëve myslimanë dhe me Presidenten Jahjaga e vumë edhe gurthemelin e Xhamisë në Prishtinë. Kosova është shembulli më i mirë, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë për tolerancën dhe bashkëjetesën e shkëlqyer ndërfetare, shekuj me radhë.
Askush nuk ka asnjë arsye që të ndjehet i fyer, i anashkaluar apo i privilegjuar mbi baza fetare në shtetin tonë modern. Protesta dhe shprehja e pakënaqësisë janë vlera demokratike në shoqërinë tonë, por ato asnjëherë nuk duhet të shërbejnë për nxitjen e urrejtjes ndërfetare dhe ndëretnike. Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj! HTH”, ka shkruar Thaçi në statusin e tij në Facebook.
Edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar për protestën e sotme të mbajtur në Prishtinë, kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe.
Me anë të një postimi në Facebook, ai ka thënë se protestat janë pjesë e ekspozimit demokratik, por kjo e sotmja sipas tij tregon “inferioritetin tonë”, që të pajtohemi se jemi 95% muslimanë.
“Por, në vend që të turpërohemi, do duhej të krenohemi, ashtu siç krenohen të gjithë njerëzit e botës për besimin e tyre në zot, për objektet e tyre monumentale fetare, pa marrë parasysh sesi e demonstrojnë besimin e tyre, si muslimanë, katolikë, ortodoksë, protestantë”, ka shkruar ai.
Sipas Mustafës, s’ka asnjë arsye që dikujt t’i pengojë një xhami, katedrale apo kishë e madhe në Prishtinë.
Në këtë kontekst, ai ka inkurajuar kryetarin aktual të kryeqytetit, Shpend Ahmeti, të ofrojë zgjidhjen më të mirë të mundshme për ndërtimin e kësaj xhamie.
“Protestat janë pjesë e ekspozimit demokratik. Sikurse, kjo e sotmja kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë.
Protesta tregon edhe kompleksin e inferioritetit tonë që të pajtohemi se jemi këta që jemi, rreth 95 perqind muslimanë. Por, në vend që të turpërohemi, do duhej të krenohemi, ashtu siç krenohen të gjithë njerëzit e botës për besimin e tyre në zot, për objektet e tyre monumentale fetare, pa marrë parasysh sesi e demonstrojnë besimin e tyre, si muslimanë, katolikë, ortodoksë, protestantë…. Tendenca që të diktosh besimin dhe objektet fetare, nuk përkon me respektimin tonë të ndërsjell dhe as me respektimin e vetëvetes.
Pse duhet të na pengojë një xhami e madhe, një katedrale, një kishë në Prishtinë.
Qytetet më të mëdha ua kanë vënë qytetarë të tyre vendet më të mira për xhami, siç është Londra. Është Tirana. Këtë e kam bërë edhe unë sa isha Kryetar i Prishtinës. E inkurajoj Kryetarin Ahmeti të vazhdojë me ofrimin e zgjidhjes më të mirë për ndërtimin e kësaj xhamie.
Të mundohesh që të paraqitesh ai që nuk je, s’është asgjë më pak sesa primitivizëm. IM”, ka shkruar Mustafa në Facebook./Tv Malisheva