Gjykata herë luan rolin e nënës e herë të njerkës. Personat që dhunuan policët dhe gjuajtën me gjësende të forta ndaj institucioneve në protestat kundër propozimit francez u liruan me kusht pasi pranuan veprën. Ndërkohë protestuesit në rastin “Monstra” përveç burgut, morën edhe gjoba në para.

“Derisa Komisioni Evropian po zbaton procesin e skriningut në gjyqësor, Gjykata e vendit të cilat gëzojnë vetëm 8% besimin e qytetarëve vazhdojnë të sjellin vendime me standarde të dyfishta. Sot protestuesit e dhunshëm kundër propozimit francez u dënuan me kusht. Për veprën e njëjtë, protestuesit kundër rasteve të montuara gjyqësore, si rasti Monstra, përveç dënimeve 3-5 vite burg u shqiptoheshin edhe gjoba drakonike”, raporton AlsatM.

7 nga protestuesit e dhunshëm të cilët më 5 korrik morën pjesë në turmën e cila u përlesh me policinë gjatë protestave para Kuvendit kundër propozimit francez, pas pranimit të fajit janë dënuar me kusht. Të akuzuarit mund të dënohen me 2 vite burg efektiv në rast se brenda katër viteve të ardhshme kryejnë vepër penale. Меgjithëse Kodi Penal parashikon që derisa gjatë protestave të turmës dikush humb jetën ose lëndohet rëndë si në rastin konkret policës, pjesëmarrësi në turmë dënohet me burg efektiv.

Kodi Penal, Neni 385
“Nëse derisa turma proteston dikush humb jetën ose merr lëndime të rënda trupore apo dëmtohet në masë të madhe, pjesëmarrësi në turmë për veprimet e tij do të dënohet me burg nga 3 muaj deri në 3 vite”.

Mlladen Ristovski, Ivan Josifovski, Sllavço Simonovski, Bojan Stefanovski, Nikolla Mihajllovski, Viktor Stojkov dhe Shtefan Shuman janë të akuzuarit të cilët pranuan veprën dhe gjykata i liroi nga masa efektive. Me veprimet e tyre, për 9 ditë protestuesit përveç që demoluan godinën e Kuvendit në shkallën ekstreme (të vlerësuar sipas organit të akuzës) dhe godinën e Qeverisë, lënduan 54 policë, 11 prej tyre rëndë ndërsa 2 me lëndime serioze derisa mund të rrezikojnë invaliditetin.

Gjykatësja Sllavica Andreevska gjatë leximit të vendimit ka deklaruar se vendimi për dënim alternativ buron si pasojë e moshës së të akuzuarve, tre prej të cilëve janë minoren. Pjesa tjetër e të akuzuarve pritet që ditëve në vijim të dalin para gjykatës për të proceduar mbi akuza e tyre. Por si vepronin gjykatat kur protestuesit ishin shqiptar? Protestat kundër rastit “Monstra”, “Lagja e Trimave”, “Almiri” dhe “Sopoti” pothuajse gjithnjë kanë përfunduar me konfrontime mes protestuesve dhe policisë edhe pse në shumicën e rasteve dhuna ishte e nxitur nga agjentë provokues ose edhe nga vetë policia duke kufizuar rutën e lëvizjes dhe duke vendosur kordonë me policë të armatosur deri në dhëmbë. Protestuesit kundër vendimit gjyqësor në rastin “Monstra” për thyerjen e disa dritareve të Gjykatës Supreme përveç se ishin dënuar me burg, u ishin shqiptuar edhe gjoba deri në 6.000 euro.

Në vitin 2015, gjashtë protestuesit e arrestuar në Shkup, Muharem Bardhi, Adem Abdullai, Muharrem Isa, Rami Buçi, Arian Rexhepi dhe Enur Iljazi u dënuan fillimisht me 3 vjet burg, ndërsa pas ankesës, dënimi i tyre u ul në 2 vjet e gjysmë. Në mars vitin 2021, për shkak të protestave kundër vendimit gjyqësor në rastin “Monstra” (pas rigjykimit të procesit), tre persona të cilët gjithashtu pranuan fajin u dënuan me nga 1 vit burg.

Behar Dalipi- 1 vit burg
Besart Kalisi- 1 vit burg
Shaban Veseli- 1 vit burg

Me formulën e njëjtë dhe me standarde të dyfishta, gjykatat kanë vepruar edhe mbi organizatorët e protestave. /Alsat.mk

/TV Malisheva

Share.