Edhe pse infermierët rrezikojnë shëndetin e tyre gjatë përballjes me pacientët e infektuar, ata po paguhen vetëm 18 euro për punën që po e bëjnë në ndërrimin e natës.

Për këtë pakënaqësi,

Sindikata e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve Shëndetësorë, për këtë qëllim ka paralajmëruar protestë për të hënën në orën 10:00.

Sekretari i kësaj sindikate, Enlirat Duraku, ka thënë se duke e pasur parasysh punën e infermierëve, kërkesat që do të paraqiten janë minimale.

Infermierët, ndërkaq, kanë premtuar që gjatë protestës do t’u përmbahen rekomandimeve të Institutit të Shëndetit Publik për mbrojtje nga koronavirusi.

Ndryshe, Sindikata ka paraqitur në vazhdimësi ankesa për çështjen e pagës. Ata kanë kërkuar vazhdimisht edhe rritje të koeficientit të pagës së tyre – nga 2.15 në 3.2.

Që nga fillimi i përhapjes së pandemisë në Kosovë, afër 800 profesionistë shëndetësorë janë infektuar me koronavirus. Prej tyre, pesë raste kanë përfunduar me vdekje.

Njoftimi i plotë:

Sindikata e Infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësor, të Hënën me datë 03/08/2020, nga ora 10:00 do të organizoj një protestë simbolike paqësore lidhur me injorimin e kërkesave të komunitetit tonë.

Protesta do mbahet para objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe do të zgjasë maksimumi 15 minuta duke i’u përmbajtuar të gjitha rregullave dhe rekomandimeve të dhëna nga IKSHPK që përfshinë mbajtjen e distancës sociale dhe bartjen e maskave.

Pasi që është protestë simbolike dhe paqësore, pjesëmarrës do jenë prej 20 deri 50 infermier, mirëpo të gjithë ata që kanë vullnetin të na bashkangjiten janë të lirë që të jenë pjesë e protestës.

Vërejtje :

Qeveria miratoi masat e reja për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 në mbledhjen e 17-të të Qeverisë në Prishtinë, 28 korrik 2020 ku në pikën 6 thuhet :

6. Ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 5 personash në sheshe publike, në parqe etj.

Andaj ne si sindikatë do të kujdesemi që t’u bindemi urdhëresave të dala nga kjo mbledhje e Qeverisë, duke u ndarë në grupe jo më shumë se 5 infermier, mami apo profesionist tjerë shëndetësor.

Me respekt

Enlirat Duraku

Sekretar i Sindikatës së infermierëve/Tv Malisheva

Share.