Prej tri javësh, qyteti port i Ukrainës, Mariupol, ka qenë i rrethuar nga forcat ruse. Midis 100.000 dhe 200.000 njerëz mbeten të bllokuar në qytet, i cili vazhdon të jetë nën bombardime të pamëshirshme.
Autoritetet lokale thonë se 80% e infrastrukturës së qytetit është shkatërruar, disa prej të cilave nuk mund të riparohen. Qyteti ka mbetur pa ujë, rrymë dhe ngrohje dhe është e pamundur të numërohet numri i të vdekurve. Këtë javë Ukraina hodhi poshtë ultimatumin e Rusisë për të dorëzuar Mariupolin.
Rënia e Mariupolit do të ishte një goditje ekonomike për Ukrainën dhe një fitore simbolike për Rusinë.
“Mariupol ka një rëndësi praktike dhe simbolike për Rusinë,” tha për Guardian Andrii Ianitskyi, kreu i Qendrës për ekselencë në gazetarinë ekonomike në Shkollën Ekonomike të Kievit.
“Është një qytet i madh port dhe një bazë për forcat e armatosura të Ukrainës. Pra, nëse rusët duan të kenë një korridor tokësor (nga Donbasi) në Krime, ata duhet të kontrollojnë qytetin.”
Që nga viti 2014, më pak se 30 km e kanë ndarë Mariupolin nga territoret separatiste të kontrolluara nga Rusia në Donbas.
Mariupol është një qendër metalurgjike për punimet e hekurit dhe çelikut, prodhimin e makinerive të rënda dhe riparimet e anijeve. Fabrikat më të mëdha të çelikut të Ukrainës në pronësi të grupit kryesor metalurgjik të vendit, Metinvest, ndodhen në Mariupol. Njëri prej tyre, Azovstal, u dëmtua rëndë nga bombardimet ruse këtë javë.
Ianitskyi tha se ushtria ruse kishte vënë në shënjestër jo vetëm infrastrukturën civile, por edhe infrastrukturën ekonomike, me synimin për të shkaktuar sa më shumë dëme.
Mariupol është gjithashtu shtëpia e portit më të madh tregtar në Detin Azov nga i cili Ukraina eksporton grurë, hekur dhe çelik dhe makineri të rënda. Në vitin 2021, destinacionet kryesore për eksportet e Ukrainës nga porti Mariupol ishin vendet evropiane dhe të Lindjes së Mesme si Italia, Libani dhe Turqia.
Porti kishte vuajtur pas fillimit të luftës së Donbasit, pasi kishte humbur trafikun transit të mallrave nga tregjet e mëparshme, përfshirë Rusinë. Pas aneksimit të Krimesë, Rusia ndërtoi një urë që lidh gadishullin me territorin e saj dhe vendosi në mënyrë të njëanshme kufizime për anijet që kalonin ngushticën e Kerçit.
Kishte gjithashtu një rëndësi simbolike, tha Ianitskyi. Në vitin 2014, Mariupol, qyteti i dytë më i madh në rajonin e Donetskut, i rezistoi pushtimit të shkurtër nga forcat pro-ruse. Pasi Ukraina humbi kontrollin mbi kryeqytetin rajonal të Donetskut, Mariupol priti numrin më të madh të personave të zhvendosur brenda vendit nga pjesët e pushtuara të Donbasit, më shumë se 96.000 njerëz që nga viti 2019.
Jo vetëm që Mariupol shtrihet në territorin që pretendohet nga e ashtuquajtura Republika Popullore e Donetskut, një zonë e njohur nga Rusia përpara pushtimit të plotë, por është gjithashtu pjesë e vizionit të Vladimir Putin për “Novorossiya” – një territor që shtrihet në të gjithë Ukraina lindore dhe jugore përgjatë vijës bregdetare të Detit të Zi që shihet nga Putin si “toka historike ruse”.