Kardiologët turq kanë paralajmëruar se të rriturit nuk duhet të hanë kurrë darkë pas orës 19:00. Në një person të shëndetshëm, tensioni bie me 10% kur fle.

Por, një studim me 700 persona me tension të lartë zbuloi se të haje pak përpara gjumit bënte që tensioni të mos binte. Ekspertët mendojnë se kjo vjen ngaqë kur një njeri ha, çlirohen hormone të stresit, ndërkohë që trupi duhet të nisë të qetësohet.

Personat që nuk kanë rënie tensioni gjatë natës kanë edhe një vdekshmëri më të lartë nga sëmundjet e zemrës.

Dr. Ebru Özpelit thotë: ”Nëse hamë vonë në darkë, trupi qëndron njësoj si gjatë ditës, në vend që të bëhet gati për gjumë. Hormonet e stresit që çlirohen nga ngrënia bëjnë që tensioni të mos ulet, gjë që duhet të ndodhë normalisht”.

Njerëzit që vuajnë nga tensioni i lartë janë të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës, por nëse tensioni nuk i bie edhe gjatë natës, rreziku rritet edhe më shumë.

Dr. Özpelit shtoi: ”Nëse tensioni nuk bie më shumë se 10% gjatë natës, rritet rreziku kadiovaskular dhe numri i atakut në zemër. Por, edhe ata që nuk vuajnë nga tensioni duhet ta kenë parasysh studimin tonë. Të gjithë duhet të hanë mëngjes, drekë dhe darkë, por darka nuk duhet ngrënë kurrë pas orës 19:00”.

Studime të mëparshme kanë treguar se një darkë e hershme ul rrezikun e kancerit të gjirit, ul nivelin e sheqerit në gjak dhe ndihmon në djegien e kalorive.

Share.