Telekomi i Kosovës e ka përmbyllur zyrtarisht kapitullin që i kushtoi humbje milionëshe me kompaninë Z-Mobile të udhëhequr nga Blerim Devolli.
Për 10 vjet të plota, sa zgjati kontrata e bashkëpunimit, kompania publike për pak sa nuk u përball me falimentim, derisa, nga Devollët u dërgua edhe te përmbaruesi për borxhin e arbitrazhit.
Sot hyn në fuqi vendimi i marrë nga Bordi i Drejtorëve të Telekomit, për përfundim të marrëveshjes me Z-Mobile të Devollëve e mosvazhdim të saj.Gazeta Express ka siguruar ekskluzivisht këtë dokument ku thuhet se në takimin që është mbajtur dje është marrë vendim që negociatat të shpallen të pasuksesshme dhe që të përfundojë çdo raport kontraktues në mes të Telekomit dhe Dardafonit.
Gjithashtu, thuhet se kryeshefi ekzekutiv, Bedri Istrefi, do të shpallë publikisht përfundimin e negociatave e të çdo raporti kontraktues në mes të dy kompanive më 31 korrik 2019, në të njëjtën datë kur për përfundim të marrëveshjes do të njoftojë zyrtarisht edhe Dardafonin. I njëjti vendim hyn në fuqi sot.
Telekomi dhe Z Mobile kishin nënshkruar marrëveshje në janar të vitit 2009 me të cilën kompania e Devollëve bëhej operator virtual i Telekomit.Mospajtimet mes këtyre palëve përfunduan në Arbitrazh. Si rrjedhojë, këtë vit, 10 vjet pas marrëveshjes, Telekomi gjendet para një borxhi rreth 26 milionë eurosh ndaj Z Mobile.