Publicisti dhe gazetari Habib Zogaj promovoi të martën librin “Kuvendi i Bubavecit” (26 prill 1990) i dhjeti me radhë i autorit Habib Zogaj, si dhe u shfaq premiera e dokumentarit me të njëjtin emër.

Libri përmbledh aktivitetet e Lëvizjes Kombëtare të Pajtimit të Gjaqeve në Malishevë, ndërsa edhe dokumentari flet për Kuvendin e 26 prillit të vitit 1990 të mbajtur në Bubavec të Malishevës.

Recensenti i librit, Mehmet Rukiqi, tha se kultura, arti, shkenca dhe letërsia shqiptare sot u pasuruan edhe më shumë falë veprës “Kuvendi i Bubavecit”.

“Kultura, arti, shkenca dhe letërsia shqiptare sot po pasurohen edhe me një vepër kombëtare, që mban titullin “Kuvendi i Bubavecit”. Vepra, si e tillë, i plotëson të gjitha kushtet qoftë gjuhësore, qoftë letrare. Ka një gjuhë të mirë, një sintaksë të ndërtuar mrekullisht dhe paragrafët më të nevojshëm që si vepër i plotëson. 95 vjet pas vdekjes së kolosit më të madh shqiptar për të drejtën zakonore shqiptare, Ramadan Shabanit, 59 vjet më parë iu shkoi ndërmend të rinjve tanë, kryesisht të burgosur politikë, që të kryejnë amanetin e Ramadan Shabanit, që ne të jemi të pajtuar. S’ka fitore pa pajtim, s’ka luftë pa pajtim dhe po i devijuam këto pikëpamje, atëherë kemi devijuar edhe historinë tonë”, tha ai.

Autori i librit dhe producenti i dokumentarit “Kuvendi Bubavecit”, Habib Zogaj, shprehu mirënjohjen e tij të thellë për të gjithë ata që e ndihmuan gjatë rrugëtimit të tij për shkrimin e librit, teksa tha se për veprat nuk flasin autorët, pasi janë lexuesit ata që i japin vulë.

“Për veprat nuk flasin autorët, flasin të tjerët, këshilli redaktues, recensentët, por ka edhe një nivel tjetër që i jep vulën veprës, ai është lexuesi. Ndjehem mirë që kam shkruar për një ngjarje të rëndësishme historike kombëtare, si ajo këtij kuvendi madhështor, përmbajtësor e qëllimmadh”, u shpreh ai.

Edhe konsulenti i librit, Hoxhë Xhevat Kryeziu falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në promovimin e librit, teksa kujtoi takimin e parë me patriotin shqiptar të njohur për pajtimin e gjaqeve, Anton Çetën. Pas fjalës së tij, Kryeziut iu nda mirënjohje.

Me rastin e promovimit të librit, të pranishmit patën rastin të shohin edhe dokumentarin “Kuvendi i Bubavecit“./TV Malisheva

Share.