Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka denoncuar punësimin si pjesë e stafit akademik, Arian Janovën, i cili ishte dënuar nga Gjykata Themelore më 8 muaj burgim për shitblerje notash dhe regjistrime të paligjshme në fakultete.
Përmes një aktiviteti para Rektoratit të UP-së, përfaqësues të ORCA-s lexuan mesazhe që ishin shkëmbyer atë kohë ndërmjet Janovës dhe një personi tjetër.
Dibran Hoxha nga kjo organizatë, ka lexuar disa mesazhe të shkëmbyera nga Arian Janova me disa persona tjerë.
“Arian, a e ki hala qat klientin qe the mbrëmë, thuaj 600 çmimi i fundit edhe nëse don vete sa poenë i ka ne test kombëtare”, thuhet në mesazhin e lexuar nga Hoxha.
Hoxha vijon më tej duke lexuar mesazhin e Arian Janovës.
“55 pika kombëtare, 8 pika nga suksesi i shkollës së mesme ok takohemi në ‘Prestigj’ për 10 minuta, unë i marr 500 e ti lypja 600…”, thuhet në mesazhin që Hoxha pretendon se është i Arian Janovës.
Ai ka përmendur edhe aktvendimin dënues të Gjykatës Themelore ndaj Arian Janovës dhe 11 personave tjerë.
“Në aktvendim thuhet se Arian Janova është fajtor sepse: Në periudhën kohore nga korriku i vitit 2009, e deri në janar të vitit 2012, me qëllim të përfitimit material të kundërligjshëm, ka ushtruar ndikim të pa duhur mbi vendimmarrjen te personat zyrtar, lidhur me regjistrimin e personave të ndryshëm në Fakultete, sidomos në atë të mjekësisë, ky dhe të tjerët kanë kërkuar e në disa raste kanë marr para në shuma prej 150, 200, 350, 400 e deri në shumën prej 1.400 euro, në të shumtën e rasteve këto para i kanë nda në mes vete. Kjo u dëshmua përmes provave të pakontestueshme që u paraqitën në gjykatë përmes formës së sms-ëve (disa të lartpërmendur)”, u shpreh Hoxha.
“Rëndom, siç ndodh në gjykatat e degraduara të Kosovës, në instancë më të lartë Gjykata e Apelit hodhi poshtë vendimin e Gjykatës Themelore me arsyetimin se personat në fjalë nuk kanë pasur pozita zyrtare andaj edhe nuk kanë mundur të ushtrojnë ndikim apo marrje të ryshfetit për këto qëllime. Kualifikimi i veprave penale nga ana e prokurorisë dëshmon se përgatitja e lëndës është bërë në atë mënyrën që lënda të dështojë qëllimshëm, por provat asnjëherë nuk dështojnë ta dëshmojnë të vërtetën. Ndonëse Gjykata e Apelit ka rrëzuar vendimin e Themelores pa mohuar provat e paraqitura, asnjëherë nuk është iniciuar procedurë tjetër për ndjekjen e zingjirit të kësaj ndërmarrjeje kriminale”, u shpreh ai, teksa kundërshton edhe vendimin e UP-së për avancim të Janovës si asistent në Fakultetin Filozofik.
“Ironikisht, afro 10 vite pasi Arian Janova kishte mbajtur paraburgim për veprat penale të lartcekura, i njëjti propozohet për avancim nga Fakulteti Filozofik në Asistent të rregullt në Universitetin e Prishtinës. Që UP është drejt kolapsit etik që një kohë s’ka dyshim, sidomos pas vendimit të vet institucionit për shpalljen plagjiatorë të Bujar Dugollit e Ardian Kastratit, por duke mos i ndëshkuar ata për shkeljen e rëndë të kryer. Ne ja rikujtojmë publikut kosovar dhe tregtarëve të notave e marrësve të ryshfetit që Gjykatat e korruptuara të Kosovës kurrë nuk do të ju shpërlajnë nga krimet e bëra, emrat e juaj kanë me figuru gjithmonë në regjistrat publik të korrupsionit, para se me figuruar në dyert e fakulteteve”, tha Hoxha.
/TV Malisheva