Dhjetëra protestues të kompanisë publike Telekom protestuan para Kuvendit të Kosovës, dhe njëzëri kanë kërkuar nga partitë politike parlamentare, kryeministri dhe presidenti të jenë të bashkuar për zgjidhjen e bllokadës financiare në këtë ndërmarrje.
Grupi Parlamentar i VV-së ka dalë nga seanca për të mbështetur protestuesit, ndërkohë edhe kryeministri, Avdullah Hoti ka ftuar në takim kryesinë e sindikatës së kësaj kompanie, të cilëve u sigurojë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për të gjetur në një afat optimal një zgjidhje të favorshme për këtë kompani me interes strategjik për ekonominë e vendit.
Kryetari i sindikatës, Lamih Balaj tha se në mënyrë kriminale Dardafon ka arrit t’i mbyllë llogaritë bankare dhe t’i tërheq mjetet e buxhetit të shtetit, të cilat kanë qenë nga Pako Emergjente Fiskale.
Balaj: Devolli në mënyrë kriminale ka arritur sot me na i mbyllë llogaritë bankare
“Bashkë me u mbledhë të gjithë dhe me mbrojt njërën nga institucionet më të mëdha në Kosovë, sepse krimi i organizuar që ka kapluar me vite në Telekomin e Kosovës dhe secili prej jush është i informuar çka është ka ndodhur me Telekomin e Kosovës, sot ua ka mbyllur dyert juve si shtet, 3500 familjeve të Postës dhe Telekomit të Kosovës. Ua ka mbyllur juve deputetë, kryeministër, president dhe kryeparlamentare dhe është ka ua humb nderin juve një person i cili në mënyrë më kriminale ka arrit sot me na i mbyllë llogaritë dhe me i marrë ato para të buxhetit të shtetit të cilat ju i keni qitë në llogarinë e Telekomit për ndihmë nga Covid-19, për gjendjen e rënë që ka qenë në Telekom”, theksoi Balaj.
Shefi i GP të VV-së, Rexhep Selimi theksoi para protestuesve se ajo çfarë po ndodhë në Telekom shkakton rrezik në siguri kombëtare dhe dëme ekonomike.
Selimi: Ajo çfarë po ndodhë në Telekom shkakton rrezik edhe në siguri
“Ajo çfarë ka ndodhur në të kaluarën dhe çfarë po ndodhe tani është shqetësuese dhe e tmerrshme jo veç për interesin Telekomit, por është po ashtu edhe për interesin e Kosovës. Ky nuk është vetëm dëm, është edhe rrezik. Kjo nuk shkakton vetëm impakt në ekonomi, por edhe në siguri. Andaj, ju inkurajojmë që të qëndroni në të drejtën tuaj, Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdon të jetë në anën e së drejtës, e ju sot përfaqësoni më së miri anën e së drejtës së Telekomit”, theksoi Selimi.
Po ashtu, edhe kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa në kuvend nga radhët e VV-së, Hekuran Murati tha se kontrata me “Z-mobile” ka qenë e ditur se ka me gjunjëzuar Telekomin, dhe shtoi se tash ka ardhur momenti që një kompani private është më e fort se shteti i Kosovës.
MuratI: Kontrata me “Z-mobile” ishte e ditur se ka me gjunjëzuar Telekomin
“Mbështetja e VV-së nuk është se ka munguar, sepse dihet prej kohës, që prej kur është bërë kjo kontratë dhe dihet qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje. Qysh atëherë kemi theksuar se jemi kundër se kjo është një marrëveshje e cila do ta bien Telekomin në këtë situatë. Pra, ka dalë ajo situatë e cila është paraparë që në fillim se ajo kontratë ka me gjunjëzuar Telekomin dhe është bërë qëllimshëm atëherë. Tash ka ardhur puna që një kompani private është më e fort se shteti i Kosovës”, tha ai.
Protesta e punëtorëve të Telekomit të cilët u munduan t’i respektojnë edhe masat anti Covid-19, ka përfunduar vetëm pas një takimi që pati kryetari i sindikatës së kësaj kompanie me kryeministrin, Avdullah Hoti.
Kryetari i sindikatës Lamih Balaj tha se kryeministri Hoti ka premtuar se asnjë vend i punës në Telekom nuk do të humb.
Po ashtu, kryeministri, sipas tij, ka thënë se çështja e Telekomit është në përgjegjësi të Qeverisë dhe ka kërkuar që të ndërpritet protesta dhe punëtorët të shkojnë në vendet e tyre të punës.
Balaj: Kryeministri na premtoj se Telekomi nuk do të falimentojë
“Hoti u zotua që tashmë çështja e Telekomit është në duart e qeverisë së Kosovës. Kërkesë e tij zyrtare është që punëtorët e Telekomit të Kosovës nuk do të humbin asnjë prej tyre vendin e punës. Telekomi nuk do të lejohet të falimentoj në asnjë mënyrë dhe besojmë që deri në javën tjetër gjithçka do të kthehet në normalitet. Do t’i marrim edhe pagat dhe Telekimi do të kthehet normalitetit”, tha Balaj.
KosovaPress dje ka raportuar edhe për tërheqjen e rreth 3.5 milionë eurove nga “Z-mobile”
Ndërsa, nga Zyra e Kryeministrit kanë njoftuar se kryeministri Hoti kërkoi që Telekomi të vazhdojë t’u ofrojë shërbimet e veta qytetarëve, ndërkohë që Qeveria do ta ketë prioritet stabilizimin dhe rivitalizimin e Telekomit./Tv Malisheva