Punëtorët teknik të UP-së, Qendrave të Mjekësisë Familjare dhe të disa shkollave të Prishtinës sot kanë ndaluar punën e tyre për një orë për të protestuar për shkak të pagave të ulëta.Rreth 1 mijë punëtorë teknik sot kërkuan që pagat e tyre minimale nga janari i vitit 2020, të jenë 350 euro. Në mbështetje të kësaj proteste ishte dhe Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës, ndërsa njohës të çështjeve ekonomike vlerësuan se kërkesat e këtyre punëtorëve janë të drejta për pagë të dinjitetshme. Protestë mbajtën edhe punonjësit e këtij profili në fakultetin Filologjik, të cilët theksuan se ky lloj organizimi i protestave nuk do ta ndalet në realizimin e kërkesave për rritje të pagave dhe zbatimin e marrëveshjes kolektive. Bukurie Haziri përfaqësuese e mbi 200 punëtorëve teknik në Universitetin e Prishtinës, theksoi se paga aktuale e tyre është 230 euro dhe nga viti i ardhshëm nuk pranojnë të kenë më pak 350 euro. Haziri: Nën 350 euro, asnjë nuk janë të pajtimit me qenë më e ulëtVideo“Sot po protestojmë, kemi protestuar edhe një muaj më herët për shkak të rritjes së pagave dhe mendimi i të gjithë punëtorë është që paga minimale të jetë 350 euro. Për momentin ne kështu shpresojmë dhe do të qëndrojmë parapa kërkesave tona. Edhe nesër e kemi në këtë formë, tani të shohim se si po merret vendimi dhe se si po arrihet marrëveshja me staf… paga tani për tani është 250 euro, 230 euro i marrim, kështu që nën 350 asnjë nuk janë të pajtimit me qenë paga më e ulët”, tha Haziri. Edhe punëtorët teknik të Qendrës së Studentëve ishin sot në protestë prej orës 10:00 deri në 11:00, të cilët kërkuan rritje pagash. Adile Rexhepi përfaqësuese e 28 punëtorëve teknik të kësaj Qendre, tha se kërkesat për rritje të pagave nga 230 në 350 euro nuk do të ndalen asnjëherë deri në implementim. Rexhepi: Kërkojmë rritje të pagave minimumi 350 euroVideo“Rritje të pagave minimumi 350 euro, ngase i kemi pagat e vogla dhe nuk po mund të mbijetojmë. Kështu që sot jemi në protestë një orësh, ashtu edhe nesër, pastaj marrim hapa të tjerë. Nëse nuk ka ndonjë veprim në këtë drejtim, ne kemi me hyrë në grevë derisa të plotësohen kushtet tona”, theksoi Rexhepi. Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi thotë për KosovaPress se kërkesat e punonjësve janë të drejta për pagë 350 euro dhe implementim të ligjit dhe marrëveshjes kolektive. Azemi pati një porosi për kompanitë privat që të kenë kujdes gjatë nënshkrimit të kontratave me Qendrën Studentore, me Universitetin e Prishtinës, Rektoratin e Prishtinës dhe me komunën e Prishtinës, pasi kontratat e reja duhet të jenë me pagë 350 euro dhe pagesa e tatimit në paga, ngaqë në sektorin privat janë humbur miliona euro duke iu shmangur këtyre tatimeve. Azemi:Në 40 institucione, sot kanë protestuar punëtorët teknikVideo“Ky lloj proteste, kemi pasur presione të mëdha që edhe shumë kompani nga Gjakova, Mitrovica, Obiliqi, dhe Vushtrria dhe shumë komuna të tjera, por megjithatë ne ju kemi hyrë në hak që nuk i kemi lënë të futen në këtë protestë, sepse nuk kemi mundur ta menaxhojmë gjithë situatën dhe tash për tash përafërsisht janë 40 vend punishte ku sot kanë protestuar këta punëtorë… Profili i punëtorëve të tillë e kalon shifrën mbi 10 mijë punëtorë, punëtorë teknik në Kosovë që punojnë me këtë profil të punës”, deklaroi Azemi. Ndërsa, eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu thotë për KosovaPress se protestat e sotme janë të arsyeshme për faktin se janë krijuar politika të gabuara me rritje ta pagave në sektorin publik. Ish kryetari i OEK tha se politikbërja e deritanishme për të punësuarit dhe formën e pagesës është një padrejtësi e cila Kosovës do t’i kushtojë shumë shtrenjtë, jo vetëm sot, por edhe në të ardhmen.Gërxhaliu: Protestat janë të arsyeshme për faktin se janë krijuar politika të gabuaraVideo“Definitivisht këto protesta e kanë arsyeshmërinë e vet s’e janë si produkt i një politike të gabuar të Qeverisë dhe institucioneve që për të blerë dëgjueshmërinë e qytetarëve iu rrisin pagat, dhe ato paga nuk i paguan qeveria, por ai buxhet bëhet nga sektori privat dhe nga qytetarët e Kosovës. Prandaj, është një padrejtësi e cila Kosovës do t’i kushtoi shumë shtrenjtë, jo vetëm sot, por edhe në të ardhmen. Ajo çka është më shqetësuese, është fakti tjetër që në aspektin psikologjik e kanë mbjellë një demotovim të të rinjve për t’u qas në sektorin privat, për të pasur ide kreative dhe inovative. Për të keq sot Kosova është shndërruar për të ikur dhe jo për të qëndruar”, thotë Gërxhaliu. E zyrtarë të institucioneve nuk janë deklaruar për kërkesat e punëtorëve. Protesta e punëtorëve teknik do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme po në këto institucione prej orës 10:00 deri 11:00.

Share.