- Reklamë e sponsorizuar -

 

Malishevë, 17 shtator
Sot, në mënyrë solemne, në ambientet e njësisë së kompanisë për menaxhimin e mbeturinave, “Ekoregjoini” në Malishevë, ju është vazhduar kontrata e punës edhe për gjashtë muaj, 45 punëtorëve, të cilët janë të angazhuar në mirëmbajtjen e ambientit në territorin e Komunës së Malishevës. Në këtë ceremoni, ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Milazim Morina, përgjegjësi i njësisë së “Ekoregjionit”, Sejdi Paçarizi dhe zyrtarët tjerë përgjegjës të kompanisë.
“Mirëmbajtja dhe pastrimi i ambientit është jetë për të gjithë banorët, pra puna që ju bëni nuk është thjeshtë një vend pune për ju, por jetë për të gjithë banorët, në të gjitha vendbanimet e komunës sonë. Është viti i dytë që jeni të angazhuar dhe puna juaj ka treguar rezultat, prandaj edhe jemi angazhuar që të ju vazhdohen kontratat e punës në vazhdimësi, në mënyrë që kemi një ambient të pastër në të gjitha vendbanimet”, tha kryetari Begaj, me rastin e nënshkrimit të kontratave të punës, për 45 punëtorë.
Ndërsa përgjegjësi i njësisë për menaxhimin e mbeturinave “Ekoregjioni” në Malishevë, Sejdi Paçarizi, gjithashtu i ka uruar këta punëtorë dhe ka thënë “se puna e mirë që po bëni ju dhe ne të gjithë së bashku, ka bërë që kjo formë e angazhimit tuaj të jetë e vazhdueshme tash e dy vite me radhë, ndërsa banorët e të gjitha vendbanimeve janë të kënaqur me punën që po bëni në terren dhe ky është qëllim i yni i përbashkët, që t’iu ofrojmë shërbime të mira, por edhe qytetarët të jenë të kënaqur, dhe ana tjetër, e mira e gjithë kësaj pune është edhe vetëdijesimi i qytetarëve, që mbeturinat të mos i hedhin në natyrë dhe kjo është arritur falë punës së përbashkët”.
Angazhimi i punëtorëve për mirëmbajtje të ambientit në të gjitha vendbanimet e Komunës së Malishevës, po realizohet falë bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit nga ana e Komunës së Malishevës dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe Kompanisë për Menaxhimin e Mbeturinave “Ekoregjioni”, njësia në Malishevë

- Reklamë e sponzorizuar -