Punëtorët teknikë të Qendrave të Mjekësisë Familjare dhe të disa shkollave në Prishtinë janë dakorduar që të ndërpresin protestën, pasi nënkryetari i Komunës, Alban Zogaj, iu tha se do të nisin negociatat për rritje të pagave.
Pas takimit që punëtorët teknikë zhvilluan me Zogajn, është rënë dakord që nga janari i vitit të ardhshëm ata të kenë paga në vlerë prej 350 deri në 400 euro.
Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj tha se si komunë nuk kanë ndikim direkt në rritjen e pagave, por kanë mundësi që të diskutojnë me kompanitë private.
“Kishim një takim me sindikatën e punëtoreve, të cilët kishin ardhur me një kërkesë shumë legjitime, për rritje të pagave në sektorin privat, flasim për pjesën e punëtorëve teknikë, të shkollave të mesme e fillore, por edhe për punëtorët teknikë të Qendrave të Mjekësisë Familjare”.
“Në si Komunë e Prishtinës nuk kemi ndikim direkt në rritjen e pagave, por e kemi mundësinë të jemi në diskutim me ta dhe përmes proceseve tona të kombinimit dhe të fillojmë negocimin që këto paga me i rrit, sepse aktualisht janë ma të ulëta sesa paga minimale në vendin tonë. Ne u pajtuam me sindikatën që shumë shpejt t’i fillojmë negociatat që pagat të rritën”, deklaroi Zogaj.
Detaje për takimin me nënkryetarin Zogaj, dha kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.
“Ishte një takim i mirë, një takim i qetë, përkundër kësaj, që ne nuk harrojmë asnjëherë t’iu themi që i kanë borxh, mundësia e komunikimit, është një çështje shumë e vrazhdë për të cilën nuk e falim askënd dhe e kemi thënë edhe sot ‘merre ose lëre’”.
“Komuna e Prishtinës për punëtorët e Qendrës së Mjekësisë Familjare, menjëherë nga muaji tjetër do të jetë me pagë 300 euro, dhe në janar do të dalë tenderi i ri i cili pretendohet që do të jetë 350 deri në 400 euro. Shpresojmë se më nuk do të na duhet që të vijmë në komunë që të bëjmë presion dhe dialogu duhet të vazhdojë. Që nga nesër do të fillojë rritja e pagës për disa punëtorë”, tha Zemaj.
Ai bëri të ditur se janë marrë parasysh edhe kërkesat e punëtorëve teknikë të shkollave të Prishtinës, e për të cilët tha se do të dalë tenderi i ri, shkruan KP.
“Tek punëtorët e shkollave të mesme menjëherë ne janar do të del tenderi i ri, i cili tender do të dalë me pagën që do ta kenë punëtorët e Qendrave të Mjekësisë Familjare, dhe pagat e tyre në njëfarë forme do të jenë paralel, sikurse ata të Mjekësisë Familjare po ashtu edhe këta të shkollave të mesme”, shtoi ai.
/TV Malisheva