Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, gjatë një takimi të Këshillit të saj Drejtues, me shumicë votash mori vendim që më 13 dhjetor të mbahet grevë e përgjithshme të tri niveleve të sistemit shëndetësor parësor,dytësor dhe tretësor, me moton “Presim pagat me Ligjin e ri”.

Greva do të mbahet duke filluar nga ora 07:00 deri në ora 15:00, me kërkesën për implementimin e Ligjit për Pagat që ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor, por që është dërguar në Kushtetuese nga Avokati i Popullit.

Vendimin për grevë po ashtu për ditën e premte pritet ta marrë nesër edhe Sindikata e  Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Kërcënimet për greva vijnë në kohën e bisedimeve për krijimin e koalicionit qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërkohë që është vendosur edhe data e mbajtjes së seancës konstituive të legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës për 24 dhjetor nga ana e presidentit Hashim Thaçi.

Share.