Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales është pezulluar nga FIFA për një periudhë fillestare prej 90 ditësh.

Masa erdhi pasi Rubiales puthi në buzë mesfushoren Jenni Hermoso, gjatë ceremonisë së medaljeve pas finales së Kupës së Botës për femra.

FIFA bëri me dije se ia ka komunikuar vendimin e saj Luis Rubiales, Federatës Spanjolle të Futbollit dhe Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA). Po ashtu, FIFA thotë në deklaratën e saj se Rubiales dhe Federata Spanjolle e Futbollit nuk mund të kontaktojnë apo tentojnë të kontaktojnë Jenni Hermoso apo personat e afërt me të.

Prej ditësh tashmë, veprimi i Rubiales ka ngjallur jo pak polemika, teksa futbollistja Hermoso ka reaguar duke mohuar pretendimet se puthja ishte konsensuale.

Të paktën 81 femra kishin thënë se nuk do të luanin për kombëtaren ndërkohë që Rubiales ishte ende në detyrë.

Rubiales reagoi të premten duke refuzuar të jepte dorëheqjen, ndërsa procesin ndaj tij e konsideroi si “vrasje sociale”, duke shtuar se “do të luftojë deri në fund”.

/TV Malisheva

Share.