Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka thënë të premten popullit se Rusia i ka tashmë katër rajone të reja.

Sipas tij, banorët e katër rajoneve ukrainase të aneksuara nga Rusia – Donjeck, Luhansk, Zaporizhja, Herson – e kanë marrë vendimin e tyre.

“Rezultatet dihen, dihen mirë”, ka thënë ai.

“Jam i sigurt që Asambleja Federale do të mbështesë katër subjektet e reja të Federatës Ruse… sepse ky është vullneti i miliona njerëzve”, ka thënë Putin para publikut.

Ai ka thënë se rezultatet janë “e drejtë natyrale” e atyre që kanë votuar.

Përgjatë fjalimit, Putin është kthyer mbrapa në histori – duke pretenduar se shumë gjenerata të rusëve kanë luftuar për këto toka.

Putin e ka mbrojtur atë që është duke bërë në Ukrainë – aneksimin e katër rajoneve – duke thënë se janë territore ruse dhe ka fajësuar Perëndimin se ka bërë përpjekje për të nënshtruar Rusinë.

Fjalimi tij në Kremlin pason mbajtjen e referendumeve të rreme në rajonet e kontrolluara pjesërisht nga ushtria ruse.

Perëndimi i ka konsideruar këto referendume si të paligjshme.

Përgjatë fjalimit, ai ka thënë se dëshiron që Kievi dhe Perëndimi ta dinë se secili banor i rajonit të Donbasit do të bëhet shtetas rus përgjithmonë.

Ai ka thënë se autoritetet e Kievit duhet të respektojnë qëndrimin e banorëve të këtyre rajoneve, sepse është rruga e vetme drejt paqes.

Presidenti rus ka thënë se shteti i tij do të mbrojë tokën që ka, me të gjitha mjetet që disponon.

Putin është zotuar se Rusia do të rindërtojë qytezat dhe fshatrat, dhe do të krijojë infrastrukturë për shëndetësi dhe edukim.

Presidenti rus ka thënë po ashtu se do të punojë në siguri, ashtu që të gjithë qytetarët të ndihen të mbështetur “në secilën pjesë të tokës amë”.

Putin ka përsëritur po ashtu pretendimet se Perëndimi është duke tentuar të gjunjëzojë Rusinë, prej rënies së Bashkimit Sovjetik.

“Perëndimi dëshiron të mbizotërojë Rusinë përmes teknologjisë së re”, ka pretenduar ai, duke shtuar se Perëndimi po dëshiron të shkatërrojë kulturën ruse.

“Ata janë të shqetësuar pse ekziston një shtet kaq i pasur”, ka thënë Putin, duke vënë theksin te pasuritë nëntokësore.

Ekonomia ruse është goditur me sanksione të ashpra prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë në shkurt të këtij viti.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë më 30 shtator se Moska do t’i konsiderojë sulmet kundër rajoneve të aneksuara, si agresion ndaj vetë Rusisë.

Pas fjalimit të Putinit, në Sheshin e Kuq të Moskës do të mbahet një koncert.

Afër skenës së koncertit tashmë janë vendosur mbishkrimet “Donjeck, Luhansk, Zaporizhja, Herson – Rusi”.

Putin e ka njour pavarësinë e rajoneve ukrainase, Herson dhe Zaporizhja përmes dekreteve të nënshkruara një ditë më parë.

Ky vendim ia hap atij rrugën për t’i aneksuar rajonet në fjalë.

Këto dekrete janë të ngjashme me ato që Putin i ka nënshkruar në muajin shkurt për rajonet Donjeck dhe Luhansk para se të niste pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Këto katër territore krijojnë një korridor të rëndësishëm në mes të Rusisë dhe Gadishullit ukrainas të Krimesë, të cilin Moska e ka aneksuar më 2014.

Së bashku, të pesë rajonet përbëjnë 20 për qind të territorit ukrainas.

/TV Malisheva

Share.