Presidenti rus Vladimir Putin e krahasoi luftën kundër Ukrainës me pushtimet e shekullit të 18-të, të Pjetrit të Madh të Rusisë
Në komentet e lëshuara në televizionet ruse me rastin e 350-vjetorit të lindjes së Pjetrit të Madh, presidenti rus Vladimir Putin e krahasoi veten me Carin duke tërhequr një paralele midis atyre që ai i përshkroi si dy sipërmarrjet e tyre historike binjake për të rimarrë tokat ruse.
Putin foli për nevojën e vendit të tij për të “marrë përsëri” territorin dhe “mbrojtur veten” pasi vizitoi një ekspozitë në Moskë kushtuar carit dhe tërhoqi paralele midis themelimit të Shën Petersburgut nga Pjetri i Madh në vitin 1703 dhe ambicieve të Rusisë moderne.
Kur Pjetri themeloi kryeqytetin e ri, “asnjë vend evropian nuk e njohu atë si Rusi. Të gjithë e njohën atë si Suedi”, tha Putin. “Çfarë po bënte (Pjetri)? Morri mbrapsht dhe përforcoi. Kjo është ajo që ai bëri. Dhe me sa duket edhe ne gjithashtu kemi detyrën të marrim mbrapsht dhe të përforcohemi”.
Në komentet televizive në ditën e 106-të të luftës së tij në Ukrainë, ai shtoi: “Nëse shkojmë nga fakti se këto vlera themelore përbëjnë bazën e ekzistencës sonë, sigurisht që do të kemi sukses në zgjidhjen e detyrave me të cilat përballemi”.
Putin gjithashtu duket se mbështet zgjerimin e mëtejshëm territorial të Rusisë, duke thënë se është “e pamundur të ndërtohet një gardh rreth një vendi si Rusia. Dhe ne nuk kemi ndërmend ta ndërtojmë atë gardh”.
Një këshilltar i lartë i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky hodhi poshtë komentet dhe atë që ai e quajti çdo përpjekje për të legalizuar vjedhjen e tokës.
“Perëndimi duhet të tërheqë një vijë të qartë të kuqe në mënyrë që Kremlini të kuptojë çmimin e çdo hapi të ardhshëm të përgjakshëm… Ne do të çlirojmë territoret tona,” tha Mykhailo Podolyak.
Putini ka kërkuar të justifikojë pushtimin rus të Ukrainës duke pohuar se Ukraina nuk ka identitet të vërtetë kombëtar ose traditë të shtetësisë, ndërsa Moska thotë se ka vepruar për të çarmatosur dhe “denazifikuar” Ukrainën.
Në korrik 2021, Kremlini botoi një ese të gjatë nga Putin, në të cilën ai argumentonte se Rusia dhe Ukraina ishin një komb, i ndarë artificialisht./rel/
/TV Malisheva