Presidenti rus Vladimir Putin bëri një udhëtim të rrallë të hënën në Bjellorusi, aleat i vjetër i Moskës, ndërsa forcat ruse vazhduan fushatën e tyre për të rënuar Ukrainën nga ajri, pothuajse 10 muaj pas luftës.

Vizita e Putinit erdhi disa orë pas sulmit të fundit me dron të Rusisë në Ukrainë. Moska ka vënë në shënjestër rrjetin elektrik të Ukrainës që nga tetori, si pjesë e një strategjie për ta lënë vendin pa ngrohje dhe drita gjatë dimrit të ftohtë.

Udhëtimi i shkurtër i udhëheqësit rus në Minsk mund të nënkuptojë më shumë mbështetje ushtarake për përpjekjet luftarake të Kremlinit, pasi Bjellorusia u dha trupave të Kremlinit një platformë nisjeje për pushtimin e Ukrainës shkurtin e kaluar.

Besohet se Bjellorusia ka rezerva armësh të epokës sovjetike që mund të jenë të dobishme për Moskën. Zoti Lukashenko, ndërkohë, ka nevojë për ndihmë me ekonominë e rënuar të vendit të tij. Ishte një udhëtim i rrallë në Minsk nga Putini, i cili zakonisht e pret Lukashenkon në Kremlin.

Moska ka vazhduar përpjekjet e saj të luftës pavarësisht sanksioneve perëndimore dhe furnizimit me sisteme të mbrojtjes ajrore perëndimore për forcat ukrainase.

I ulur pranë Lukashenkos përpara bisedimeve të tyre në kryeqytetin Minsk, Putini theksoi lidhjet e ngushta ushtarako-teknike të aleatëve. Ai tha se ato përfshijnë jo vetëm furnizime të ndërsjella me pajisje, por edhe punë të përbashkët në industritë ushtarake të teknologjisë së lartë.

Analistët thonë se Kremlini mund të kërkojë sërish një lloj mbështetjeje ushtarake bjelloruse për operacionet e tij në Ukrainë. Sipas Institutit për Studimin e Luftës, një institut hulumtues në Uashington, moti i ftohtë dhe burimet e shteruara të Rusisë nënkuptojnë se çdo sulm i madh rus ndoshta nuk do të ndodhë së shpejti.

“Kapaciteti i ushtrisë ruse, madje i përforcuar nga elementë të forcave të armatosura bjelloruse, për të përgatitur dhe kryer operacione ofensive të mekanizuara në shkallë të gjerë në muajt e ardhshëm mbetet i diskutueshëm,” thotë instituti në një raport të botuar të dielën.

Ai gjithashtu arriti në përfundimin se “nuk ka gjasa që Lukashenko të angazhojë ushtrinë bjelloruse (e cila gjithashtu do të duhej të ripajisej) në pushtimin e Ukrainës”.

Në Ukrainë, dronë të shumtë sulmuan kryeqytetin para agimit. Sulmi erdhi tre ditë pas asaj që zyrtarët ukrainas e përshkruan si një nga sulmet më të mëdha të Rusisë ndaj Kievit që nga fillimi i luftës.

Rusia lëshoi 23 dronë vetë-shpërthyes mbi Kievin ndërsa qyteti flinte, por forcat ukrainase rrëzuan 18 prej tyre, tha administrata e qytetit të Kievit në platformën Telegram. Nuk u raportuan viktima të mëdha nga sulmi, megjithëse zyra e presidentit ukrainas tha se sulmi vrau të paktën tre civilë dhe plagosi 11 të tjerë mes të dielës dhe të hënës.

Breshëria e dronëve shkaktoi ndërprerje emergjente të energjisë në 11 rajone qendrore dhe lindore, duke përfshirë rajonin e kryeqytetit, thanë autoritetet.

E hëna ishte Dita e Shën Nikollës, një rast që shënon fillimin e festave të Krishtlindjeve në Ukrainë dhe është kur fëmijët zakonisht marrin dhuratat e tyre të para të fshehura nën jastëkë.

“Kjo është mënyra se si rusët i uruan fëmijët tanë për festën,” shkroi Serhii Kruk, kreu i Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, në platformën Telegram, duke bashkangjitur fotot e zjarrfikësve që mezi dalloheshin mes flakëve të një objekti infrastrukturor që u godit.

“Në natën kur të gjithë presin një mrekulli, vendi terrorist vazhdon të terrorizojë popullin paqësor ukrainas”, tha kreu i të drejtave të njeriut në Ukrainë, Dmytro Lubinets.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i përshkroi breshëritë e përditshme të pandërprera si “terror” dhe iu lutur edhe një herë vendeve perëndimore që të dërgojnë sisteme të sofistikuara të mbrojtjes ajrore.

“Një mburojë 100% e mbrojtjes ajrore për Ukrainën do të jetë një nga hapat më të suksesshëm kundër agresionit rus”, tha zoti Zelenskyy përmes videos në një konferencë rajonale të kërcënimit të Evropës Veriore në Letoni. “Ky hap është i nevojshëm tani.”

Mbetjet nga dronët e rrëzuar dëmtuan një rrugë në lagjen qendrore Solomianskyi dhe thyen xhamat e një ndërtese shumëkatëshe në lagjen Shevchenkyvskyi të Kievit, thanë zyrtarët e qytetit.

Forcat ajrore të Ukrainës thanë në platformën Telegram se personeli i saj ishte në gjendje të shkatërronte 30 nga të paktën 35 dronë vetë-shpërthyes që Rusia nisi në të gjithë vendin nga ana lindore e detit Azov në bregun juglindor të Ukrainës.

Ushtria ukrainase ka raportuar sukses në rritje në rrëzimin e raketave dhe dronëve rusë në hyrje, por zoti Zelenskyy tha se Moska kishte marrë një grup të ri dronësh nga Irani.

Ndërkohë, luftanijet nga Flota e Paqësorit të Rusisë u nisën të hënën për stërvitje të përbashkëta detare me Kinën. Stërvitja pason një seri manovrash të përbashkëta që kanë nxjerrë në pah rritjen e bashkëpunimit ushtarak midis Moskës dhe Pekinit pasi të dy përballen me tensione me Shtetet e Bashkuara.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova tha se SHBA-të po shkelin në terren të rrezikshëm duke u përfshirë në luftën në Ukrainë.

 

Share.