Një person u arrestua në Sarandë, pasi qarkullonte me armë zjarri në automjet, ndërsa u procedua penalisht një pasagjer për moskallëzim të krimit.
Policia e Shtetit, sot informoi se gjatë kontrollit në automjet, u gjet një armë zjarri, pushkë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të kontrolleve të shtuara për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në të gjitha fushat, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që qarkullonte me armë zjarri në automjet, kanë organizuar punën për lokalizimin e automjetit dhe ndalimin e drejtuesit. Në rrugën e fshatit Gjashtë, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin e dyshuar, me drejtues shtetasin A. B. dhe pasagjer shtetasin F. Gj. Në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë drejtuesi i automjetit, shtetasi A. B., 34 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. Gj., 34 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, u bë e ditur nga Policia.
Materialet i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme. /TV Malisheva