Qelza, vetëm 13 km larg qytetit të Pukës, është kthyer vitet e fundit në një atraksion turistik.
Në Qelzë, ndërthuren malet e larta, luginat, si dhe pasqyra ujore e liqenit të Komanit, buzë brigjeve të të cilit qëndrojnë ende kullat shekullore të mbuluara me rrasa prej guri.
Qelza ofron turizmin natyror, atë speleologjik dhe historik.
Bashkia e Pukës i bën apel vizitorëve të vizitojnë bukuritë natyrore që ofron Qelza si shpella e Kaurrit, guri i Dil Meres, ujëvara e Levrushkut, maja e Murgës, shpella e Kolikës, shpella e Dakës, rrënojat e fshatit të vjetër të Murgës, fushen e Korit, malin e Krrabit, kishën historike të Qelzës etj.
Në lumin e Buzhalës mund të ushtrohet sporti i bukur i peshkimit, e sigurisht të lahesh në ujërat e kristalta të Gominës që të zhveshin nga stresi i ditëve të zakonshme të punës.
Po ashtu në lëndinat e bukura plot lule, mund të ngrihen kampingje, ndërsa tek ura mbi Gominë dhe Maja e Murgës, mund të fiksohen fotografitë më të bukura.
Qyteti verior i Pukës, i cilësuar një aventurë e bukur turistike e çdo stine, është kthyer në qendër atraksioni turistik për vizitorët vendas e të huaj./TV Malisheva