Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se synim i tyre është që festivali “Sunny Hill”, që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme, e cila mund të shfrytëzohet nga të gjithë artistët.
Ai ka thënë se qeveria është e gatshme të aprovojë dhënien e pronës komunale për festivalin e organizuar nga Dukagjin Lipa, por vetëm me një kusht: të respektohen procedurat ligjore.
“Ne jemi duke diskutuar se si duhet të gjejmë zgjidhje e qëndrueshme në mënyrë që të krijojmë hapësirë publike e cila do të shfrytëzohet nga të gjithë jo vetëm nga festivali mirëpo nga të gjithë artistët dhe të tjerë që duan që të begatojnë jetën kulturore artistike. Për neve është shumë me rëndësi që dhënia e pronës komunale në shfrytëzim dhe këmbim të bëhet në bazë të procedurave të parapara ligjore edhe gjithpërfshirja në tryezën e diskutimit. Deri tani kemi marrëveshje që të mbahet festivali në Kosovë dhe ne do të shfrytëzojmë këtë kohën e mbetur në mënyrë që të gjejmë zgjidhjen e përgjithshme”, tha Krasniqi.
Më 14 qershor, themeluesi dhe organizatori i këtij festivali, Dukagjin Lipa, pati bërë të ditur që Sunny Hill do të zhvendoset në Tiranë, “për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin”.
Palët kanë qenë në diskutim të dhënies në shfrytëzim të një parcele prej 17 hektarësh për 99 vite në fshatin Bërnicë e Poshtme.
Lipa pati thënë se kërkesa e festivalit është politizuar dhe se janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore dhe kompetencat e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal mbi Komunën e Prishtinës, ku sipas tij, është injoruar vendimi i shumicës së Kuvendit Komunal dhe është ushtruar ndikim i paralajmëruar direkt mbi ministrinë nga ana e asamblistëve të opozitës komunale.
Ministria, në anën tjetër, ka thënë se nuk e ka anuluar apo rikthyer në shqyrtim vendimin e Komunës së Prishtinës për dhënien afatgjatë të pronës komunale në shfrytëzim, por ka kërkuar sqarim dhe dokumente shtesë, të cilat është thënë se kanë munguar.
Mirëpo sipas deklaratës së 20 qershorit, palët kanë shprehur gatishmëri “ që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme”.
Aty po ashtu është bërë e ditur që një edicion i veçantë me këngëtarë tjerë do të mbahet në Tiranë më 26,27 dhe 28 gusht.
Festivali është themeluar nga Fondacioni Sunny Hill, i këngëtares me famë botërore, Dua Lipa dhe edicioni i parë është mbajtur më 2018./TV Malisheva