Kandidati për kryeministër, Dimitar Kovaçevski dorëzoi në Kuvend përbërjen dhe programin qeveritar.

Prioritetet programore sipas tij janë tejkalimi i krizave dhe përmirësimi i standardit jetësor të qytetarëve.

“Prioritet kryesor është menaxhimi me krizën energjetike në shtet, krizë evropiane e cila ndjehet edhe te ne. Prioritet i dytë është ngritja e standardit jetësor të qytetarëve dhe kompanive, përfshi rritjen ekonomike. Prioritet i tretë është përmbushja e qëllimeve infrastrukturore, projekte të cilat janë siguruar me buxhetin e vitit 2022”, tha sot kandidati për kryeministwr, Dimitar Kovaçevski.

Kovaçevski theksoi se hapja e negociatave me BE-në dhe anëtarësimi i plotë mbeten alternativa e vetme e Maqedonisë së Veriut. Mbetjen e disa kuadrove në kabinetin e ardhshëm qeveritar, Kovaçevski e arsyeton me arritjen e rezultateve politike në dikastere të caktuara.

“Mbi bazën e analizave duket rritje e performancave në ministritë me të cilat udhëheqin, kanë rritur standardin e punës dhe kanë realizuar pjesën operative dhe pjesën e investimeve kapitale në nivel të lartë bazuar në programin e Qeverisë”, u shpreh Kovaçevski.

Debati mbi programin e Qeverisë dhe formatin e saj kadrovik do të zhvillohet në fundjavë. Të shtunën do të thirret seanca, ndërsa të dielën para mesnate duhet hedhur në votim. Kabineti i ardhshëm qeveritar do të numërojë 21 pozicione, nga të cilat tre zëvendëskryeministra, 17 ministra, në mesin e tyre një ministër pa resorë.

Kryeministër Dimitar Kovaçevski
Zëvendëskryeministre për Luftë kundër Korrupsionit Sllavica Gërkovska
Zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi
Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq
Ministër i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski
Ministër i Punëve të Jashtëm Bujar Osmani
Ministre e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska
Ministër i Financave Fatmir Besimi
Ministër i Drejtësisë Nikolla Tupançevski
Ministër i Sistemit Politik Artan Grubi (zëvendëskryeministër)
Ministre e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska
Ministër i Shëndetësisë Bekim Sali
Ministër i Bujqësisë Lupço Nikollovski
Ministre e Punës dhe Politikës Sociale Jovana Trençevska
Ministër i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski
Ministër i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi
Ministër i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri
Ministër i Ekologjisë Naser Nuredini
Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Admirim Haliti
Ministër i Vetëqeverisjes Lokale Goran Milevski
Ministër pa resor-përgjegjës për Diasporën Xhemail Çupi

Të hënën bëhet pranim-dorëzimi i detyrave. Qeveria e ardhshme do të numërojë shumicë prej 64 deputetëve, si koalicion mes LSDM-së dhe partnerëve parazgjedhor, BDI, Alternativa dhe PDSH./TV Malisheva

Share.