Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, përmes një letre i është drejtuar drejtorit ekzekutiv të Apple, Tim Cook, duke kërkuar edhe zyrtarisht nga ai, përfshirjen e Kosovës në hartën e Apple.

Siç ka bërë të ditur vetë ministrja, me një letër të tillë ajo i është drejtuar Apple më 23 korrik, ku ka kërkuar ndërmarrjen e shpejtë të hapave për të “prezantuar me korrektësi Kosovën me kufijtë e pranuar ndërkombëtarisht në shërbimin e AppleMaps”.

Në letrën e saj, Haradinaj-Stublla ka përmendur faktin se pavarësia e Kosovës në kufijtë e saj është e njohur nga mbi dy të tretat e vendeve të botës, përfshirë vende si SHBA, Britania e Madhe, Japonia, Gjermani, Franca, Kanadaja,… si dhe anëtarësimin në institucionet prestigjioze botërore si Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore dhe jo vetëm.

“Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në një opinion këshillëdhënës erdhi në përfundimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 nuk kishte shkelur ligjin ndërkombëtar”, ka shkruar Haradinaj-Stublla, duke kujtuar edhe faktin se platforma si Linkedln, Twitter, Facebook dhe Spotify kanë përditësuar platformat e tyre duke prezantuar Republikën e Kosovës si një vend të pavarur./Tv Malisheva

Share.