Qeveria në detyrë ka mirëpritur letrën e përbashkët të dy ministrave të Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi. Në ekzekutiv thonë se edhe dy shtetet aleate të Kosovës po kërkojnë që procesi i dialogut të jetë i përgatitur mirë dhe ndërtuar në parime. Ndërsa, përkundër këtij insistimi, ata nuk japin një datë se kur mund të rifillojë ky dialog.
Zëdhënësi i qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu për KosovaPress thotë se shefi i ekzekutivit, Albin Kurti është i gatshëm të udhëheq dialogun me Serbinë. Por, sipas tij dialogu nuk duhet të jetë akt drejt marrëveshjes, por proces që shpie në marrëveshje.
Kryeziu: Ne pajtohemi me letrën e përbashkët
“Ne kemi treguar gatishmërinë që të udhëheqim me dialogun. Kryeministri në detyrë madje ka propozuar modelin se si kjo gjë mund të bëhet, sa i përket përfaqësimit të Kosovës në këtë proces. Ne pajtohemi me letrën e përbashkët, sidomos sikur ata edhe ne pajtohemi që procesi i dialogut është një proces i përgatitur mirë dhe duhet ndërtohen në parime”, u shpreh Kryeziu.
Thirrjen për rifillim të dialogut të ministrit të Jashtëm Gjermanisë, Heiko Maas dhe homologu i tij francez, Dialo Jean-Yves Le Drian e sheh si pozitive edhe njohësi politik, Mallzum Baraliu.
Sipas tij, në asnjë formë nuk mund të neglizhohet roli vendimtar i BE-së në procesin e dialogut me Serbinë.
Baraliu: Nuk mund të neglizhohet roli vendimtar i BE-së
“Nuk mund të neglizhohet roli vendimtar i BE-së dhe nuk do të duhej të bëhej dallimi me qëllim, ose pa dashje që të përjashtohet roli i BE-së, po as ShBA-të. Është shumë pozitive për ne që këta po kyçen në këtë proces kësaj radhe… nuk do të duhej që në mënyrë të ngutshme, pa u përgatitur të rifillojë dialogu, por të përgatitet mirë me një platformë të përbashkët”, thotë ai.
Sa i përket datës se kur do të rifillojë dialogu me Serbinë, zëdhënësi i qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu thotë se ai do të rifillojë kur të gjitha palët shprehin një gatishmëri të tillë.
Kryeziu: Dialogu duhet të rifillojë kur të gjitha palët shprehin gatishmërinë
“Dialogu duhet të rifillojë atëherë kur të gjitha palët e përfshira në këtë proces shprehin një gatishmëri të tillë. Ne jemi në pritje të vendimeve dhe veprimeve të BE-së. Por në njërën anë ne jemi në një situatë kur kemi një qeveri në detyrë. Në anën tjetër shteti i Serbisë është pranë zgjedhjeve nacionale. Kështu që ne konsiderojmë se këtë kohë duhet të shfrytëzojmë sa më mirë. Në mënyrë që ne të jemi të përgatitur në momentin e parë, kur palët e përfshira dhe ndërmjetësuesi e sheh të rrugës që ky proces të rifillojë. Ne jemi të interesuar për një dialog që nuk është akt drejt marrëveshjes, por një proces drejt marrëveshjes”, thotë ai.
Në komunikatën e përbashkët të kryediplomatëve evropianë, kërkohet më shumë ndërmjetësim dhe vendosmëri politike, diçka që mund të pritet sipas tyre nga Miroslav Lajçak dhe ekipi i tij me mbështetjen e Përfaqësuesit të Lartë Borrell, si dhe të Berlinit e Parisit.
Duke mbështetur heqjen e tarifës 100% për produktet serbe dhe të Bosnjës nga ana e Qeverisë Kurti, dy kryediplomatët evropianë thonë se tashmë presin nga Serbia që edhe ajo të bëjë pjesën e saj.
“Nuk është koha për manovrim politik. Kriza e tanishme do të rrisë tensionet sociale dhe pakënaqësinë politike. Marrja e kërkesave të qytetarëve seriozisht nënkupton forcimin e institucioneve, trajtimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe zhvillimin e mundësive ekonomike për të gjithë. Kjo është rruga përpara që ju sugjerojmë – ne do të jemi pranë jush”, përfundon deklarata./Tv Malisheva