Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka bërë të ditur vendimin për bono për diasporën.
Ai ka thënë se paraditen e sotme janë takuar me bankat komerciale dhe BQK dhe kanë nënshkruar marrëveshje për emetimin e këtyre letrave me vlerë.
“Po e përmbushim dhe një premtim që kemi dhënë për bono për diasporën. Bono tre vjeçare dhe pesë vjeçare, periudha e shitjes do të jetë prej 21 korrik deri më 18 gusht. Dhe data e emetimit 20 gusht. Bankat komerciale me të cilat do të kemi bashkëpunim janë Raiffeisen Bank, ProCredit Bank, NLB banka, BKT, Banka Ekonomike dhe Banka për Biznes. Shuma e ofruar për shitje është 20 milionë euro në të drejtë të rritjes deri më 50 për qind të shumës së ofruar”, ka njoftuar Murati.
Shuma minimale për blerje është 10 mijë euro, kurse ajo maksimale për një person në një bankë është 500 mijë euro./TV Malisheva