Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, në seancën e sotme plenare, ka thënë se kërkesa e qytetarëve të Malishevës për kthimin e të gjitha shërbimeve administrative nga regjioni i Gjakovës në atë të Prizrenit, do të shikohet si mundësi në qeveri.

Deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi, pyeti Slemanajn rreth asaj se pse nuk adresohet kjo kërkesë e banoreve të Malishevës që shërbimet administrative të rikthehen në regjionin e Prizrenit pasi qasja është më lehtë.

Selmanaj ka theksuar se, qeveria së bashku me institucionet përgjegjëse, shumë shpejtë do të angazhohet në këtë drejtim.

Selmanaj:Do të angazhohemi së bashku me institucionet përgjegjëse për këtë kërkesë

“Sigurisht që banorët e komunës së Malishevës kanë arsye në kërkesën e tyre, bazuar në lidhjet që kanë këta banorë me Prizrenin, qofshin ato familjare, qofshin ato infrastrukturore-ekonomike apo të çfarëdo natyre tjetër. Por ne duhet të shohim mundësitë dhe hapësirat e tjera që na lejon t’ju përgjigjemi kësaj kërkese. Pra po flas në emër të kryeministrit do të angazhohemi së bashku me institucionet përgjegjëse që të shohim mënyrën”, ka thënë ai.

Share.